Kosova

Kryetari i Kamenicës: Diaspora, mundësia e vetme për t`u zhvilluar

Qëndron Kastrati në këtë takim u ka bërë thirrje investitorëve që të bëhen investime të përbashkëta mes afaristëve dhe bizneseve nga Kosova ngase kjo, sipas tij do të ishte mjaft profitabile

Në vazhdën e takimeve që këto ditë kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Qëndron Kastrati, po zhvillon me afaristë në Cyrih, ishte edhe takimi informues i organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih. Në këtë takim u shpalosën të arriturat e deritashme të komunës së Kamenicës si dhe mundësitë dhe potencialet për investime që ofron kjo komunë kosovare.

Në takimin e mbajtur në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, përveç kryetarit Kastrati, të pranishëm ishin edhe drejtorët e drejtorive më të afërta me sektorët ku priten investimet. Në këtë takim ishin të pranishëm një numër i madha i afaristëve kosovarë që vijnë nga rajoni i Kamenicës, të cilët u interesuan për projektet dhe mundësitë që ofron Komuna e Kamenicës për investitorët e diasporës atje.

Takimi me afaristët e diasporës qëllim në vete kishte gjetjen e mënyrave dhe rrugëve të reja për rritjen e bashkëpunimit mes investitorëve potencialë nga diaspora dhe Komunës së Kamenicës. Ndër temat që afaristët nga diaspora diskutuan me ekipin dhe kryetarin ishin procedurat burokratike dhe mosbesimi në institucione. Ky i fundit konsiderohet si problemi kryesor për investitorët e jashtëm. Delegacioni ka informuar për të gjitha mundësitë që kjo komunë do t`u ofrojë investitorëve, duke u bërë thirrje për të parë mundësitë e investimeve atje.

Z.Kastrati në këtë takim u ka bërë thirrje investitorëve që të bëhen investime të përbashkëta mes afaristëve dhe bizneseve nga Kosova ngase kjo, sipas tij do të ishte mjaft profitabile. Ai ka thënë po ashtu se afaristët nga diaspora duhet të mendojnë që në Kosovë të mos sjellin vetëm remitenca por që këto t´i i kthejnë në investime që do të ishte në interesin e të dyja palëve.

Si investim më i madh në Kamenicë vlerësohet të jetë Parku për prodhimin të energjisë me erë, me kapacitet prodhues 32.4 MW. Projekt në të cilin pritet të investohet edhe në vitet në vazhdim.

Gjatë vizitës së kryetarit të Komunës së Kamenicës z. Qëndron Kastrati në Cyrih, albinfo.ch ka realizuar një intervistë, të cilin në vazhdim mund ta lexoni të plotë.

 Albinfo.ch: Z.Kastrati, këto ditë po qëndroni në Zvicër. Cili është qëllimi i kësaj vizite?

Qëndron Kastrati: Prej marrjes së mandatit kjo është vizita e dytë që po e zhvillojmë në kantonin e Cyrihut, kjo për faktin se diaspora jonë është më tepër e koncentruar në këtë pjesë. Qëllimi i takimit është komunikimi i vazhdueshëm me shoqatat e diasporës së rajonit të Kamenicës, numri i të cilave sillet rreth 20-të. Si qëllim i dytë është për të parë mundësinë e bashkëpunimit në mes të diasporës dhe komunës në aspektin e ngritjes së vetëdijes kulturore dhe profesional. Arsye tjetër është për të treguar mundësitë dhe potencialin e komunës së Kamenicës për të investuar. Kontributi i diasporës nuk duhet të jetë me vetëm në aspektin e ndihmës financiare, por duhet që këtë ta përkthejmë në interes të dyanshëm.

Albinfo.ch: Çfarë prisni nga këto takime me afaristë të Kamenicës?

Qëndron Kastrati: Nuk besoj që me një takim do të mund të zgjidhim diçka. Si fillim, qëllimi është për t`i kuptuar nevojat e njeri-tjetrit, ndihmën që mund të japim duke e plotësuar njeri-tjetrin. Si qëllim kemi mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me afaristët e diasporës si dhe gjetja e një emëruesi të përbashkët për mundësitë e investimeve në komunën e Kamenicës.  Në veçanti unë si kryetar do të mundohem që në takime me afaristët  kamenicas të paraqesim planet dhe projektet që kemi ne si komunë.

Albinfo.ch: Çfarë konkretisht ju mundësoni?

Qëndron Kastrati: Kemi projekte konkrete përmes të cilave do të shohim nëse dikush nga afaristët e diaporës ka interes për të investuar në Kosovë. Një prej projekteve është “Bahçja” në qytetin e Kamenicës në sipërfaqe prej 7 hektaresh, dhe të shohim mundësinë e gjetjes së të interesuarve për të investuar në këtë projekt. Përparësi dhe interes i dyanshëm mes nesh dhe diasporës është rinia që kemi sot, kjo njëherësh nënkupton edhe fuqinë e lirë punëtore.

Albinfo.ch: A ka kompetenca komuna t’u ofrojë mundësi investimi, kur dihet se kompetencat kryesore janë të qeverisë?

Qëndron Kastrati: Politikat ekonomike, fiskale e tatimore janë çështje të nivelit qendror. Por nuk janë të pakta edhe kompetencat që ka komuna. Ne si komunë e Kamenicës jemi të gatshëm të ofrojmë pronën tonë publike në shërbim të ndërmarrësve që kishin me qenë të interesuar për investime. Një biznes potencial nëse i ka të përfunduara të gjitha çështjet me nivelin qendror, ka pak sfida me nivelin lokal, siç janë pajisja me leje, përfshirja në shërbimet komunale etj. Ne si komunë, duke qenë se jemi komunë më e vogël, arrijmë që më shpejt t´i përfundojmë proceduarat duke subvencionuar në disa fusha specifike siç është mbrojtja e ambientit, energjia e ripërtritshme e projekte tjera.  Jemi të interesuar që veçanërisht investimet në komunën e Kamenicës të ishin nga diaspora, ngase potenciali i afaristëve nga diaspora sot është mjaft i madh.

Albinfo.ch: A keni kontakte me bizneset e diasporës?

Qëndron Kastrati: Po, kemi kontakte me bizneset e diasporës, por me shumë janë në nivel të konsultave dhe rekomandimeve se cilat do të duhet të ishin politikat tona lokale dhe mënyrat se si duhet të orientonim zhvillimin drejt së ardhmes. Në shumë takime me bizneset kemi arritur të kuptojmë që shkollat profesionale të fushave të ndryshme janë të nevojshme dhe për këtë ne si komunë do të ndihmojmë në këtë drejtim.

Albinfo.ch: Shumë shqetësime të diasporës tregojnë se Kosova nuk ka mjedis miqësor për investime, ka shqetësime për administratë të ngufatur nga burokracia e korrupsioni.  A është ky problem i tejkalueshëm?

Qëndron Kastrati: Janë dy arsye pse heziton diaspora për të investuar në Kosovë. E para është perceptimi për korrupsionin. Frika që dikush do të kërkojë “mito” ose do të mund të nxjerrë probleme të vazhdueshme. Raste të tilla gjatë mandatit tim nuk ka pasur në komunën e Kamenicës. Si pengesë tjetër është burokracia. Zgjidhja për këtë është transparenca, me të cilën çdo çështje bëhet publike dhe në rast se ka keqpërdorime, merren masa adekuate për secilin që bënë shkelje.

Albinfo.ch: Në këtë vit, a keni pritje reale që të ketë investime në Kamenicë, dhe ku?

Qëndron Kastrati: Nuk mendoj se ne si institucion duhet të diktojmë se cili do të ishte investimi më i mirë. Përparësia dhe mundësia jonë, veçanërisht për Kamenicën, është ngase jemi prej komunave që më së afërmi kemi qasje në korridorin 10 që fillon prej Greqisë, Maqedonisë së veriut e deri në Europë. Këtë e shohim si një mundësi të mirë për investitorët. Mendoj se afaristët nga diaspora do të ishte mirë të vlerësonin se çka do të ishte me interes për të investuar. Për ne si komunë është e rëndësishme që të krijojmë hapësirat duke mos ndërhyrë në planet dhe projektet e tyre për investime.

albinfo.ch: A keni ndonjë projekt apo marrëveshje konkrete me bizneset shqiptare, respektivisht qytetarët e Kamenicës në diasporë?

Qëndron Kastrati: Ne kemi arritur të marrim një fond nga qeveria qendrore për zonën ekonomike ku synojmë të krijojmë dhe ofrojmë të gjitha kushtet për investitorët potencial. Zona ku planifikojmë do të këtë qasje të mirë në Autostradë e që lidhet me Korridorin 10 që lidh Kosovën me Europën.  Projekt konkret do të jetë ai i “Bahçes”, që është në qendër të qytetit të Kamenicës me një sipërfaqe prej 7 hektarësh me sera që nuk ishte në funksion prej 20 vjetësh. Mbetet për të diskutuar me investitorët potencial për atë se çfarë mund të përdoret kjo zonë e përshtatshme për investime që do ishte mundësi për zhvillim ekonomike të komunës sonë. Projekt tjetër është edhe turizmi duke pas parasysh trendin që ka komuna e Kamenicës e që është i përshtatshëm, për këtë projekt ka filluar të ketë interesim nga investitorë të ndryshëm.

Për ne si komunë do të ishte me interes që ndonjëri nga rrjetet e marketeve nga Zvicra të prodhojë produkte të caktuara në Kosovë me kosto më të lirë.

albinfo.ch: Pse keni besim se do t’i bindni bashkatdhetarët tanë që të vijnë të investojnë në Kamenicë?

Qëndron Kastrati: Qasja jonë është më shumë për të treguar se jemi të hapur si komunë, jemi të interesuar dhe kemi për të qenë shumë bashkëpunues. Besoj që kjo mos të jetë vetëm çështje bindjeje, por që për investitorët e diasporës kjo të duket si një ide atraktive për të investuar në komunën tonë. Ne nuk po kërkojmë që një afarist të investojë ngase ne kemi nevojë për këtë, por për ne është e rëndësishme të gjejmë ide të përbashkët për të investuar në projekte të përbashkëta që do të ishin interes i dyanshëm.

Albinfo.ch: Çka u premtoni bashkatdhetarëve në kohën e pushimeve të tyre në Kamenicë?

Qëndron Kastrati: Do të mundohemi të krijojmë një ambient sa më të qetë dhe të sigurt që bashkatdhetarët tanë të jenë të kënaqur gjatë kohës sa do të qëndrojnë në vendin e tyre. Do t´i kryejmë obligimet tona si komunë si dhe do të përkujdesemi për të ofruar aktivitet të ndryshme kulturore gjatë kohës së pushimeve.