Kosova
Kryetari i Ferizajt në Lozanë: Kudo në Zvicër e sheh “dorën” dhe ndikimin e shqiptarëve
Kryetari i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu ka qëndruar për vizitë në Zvicër, përkatësisht në Lozanë me një ftesë të veçantë që siç tha ai, ka një histori më të gjatë të bashkëpunimit mes Komunës së Ferizajt dhe komunës së Lozanës.
“Një histori që daton qysh në vitin 2013, kur edhe asokohe isha kryetar komune dhe kishim arritur një marrëveshje bashkëpunimi mes komunës së Ferizajt dhe Lozanës, ky bashkëpunim ka vazhduar që nga ajo kohë dhe kjo sot është një vizitë e imja pas 10 viteve, jam shumë i lumtur që jam këtu dhe shumë i lumtur që jam takuar me kryetarin dhe autoritetet e tjera në krye të komunës së Lozanës”, ka thënë ai.
Tutje ai u shpreh se kjo vizitë “paralajmëron” bashkëpunime të ardhshme mes dy vendeve, përcjell albinfo.ch.
“Kjo është jo vetëm për të dëshmuar atë bashkëpunim që e kemi pasur deri më tash, por edhe për të krahasuar rrugën dhe bashkëpunime të tjera në kuadër të këtij rrugëtimi dhe kësaj qasje shumë pozitive dhe besimit të ndërsjellë mes Komunës së Lozanës dhe Ferizajt”, ka shtuar tutje ai.
I pyetur se çfarë përvojash mund të fitojnë nga komunat zvicerane, ai ka deklaruar se dy vendet tashmë bashkëpunojnë në tema dhe fusha të caktuara.
“Ne kemi tashmë tema të caktuara për të cilat e kemi fushën e bashkëpunimit. Njëra prej tyre ka qenë në fushën e kulturës, respektivisht të bibliotekave ndërsa tashmë jemi duke folur se si mund të bëhet kjo në fushën e barazisë gjinore dhe të sportit. Biseduam edhe për projekte konkrete ndërsa ekipet tona, ato të Komunës së Ferizajt dhe Lozanës pastaj do t’i bashkërendojnë veprimet se si mund të bëhen praktikisht këto bashkëpunime në mes të dy vendeve”, u shpreh Aliu.
Tutje ai ka thënë se tradita e bashkëpunimit do të jetë një lehtësim ndërsa ka shpjeguar tutje disa bashkëpunime ku përfshihet edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ajo që është përvojë tjetër, e re, që përfshihet edhe Ministria e Punëve të Brendshme, është edhe përvoja sa i përket ri-integrimit të personave që vijnë tashmë edhe në Republikën e Kosovës. Përderisa dikur kanë qenë kosovarët që kanë ardhur këtu dhe janë ri-integruar në shoqërinë zvicerane, tashmë kemi shtetas të ndryshëm të botës që vijnë për të jetuar në Kosovë, në këtë rast në Ferizaj. Kemi pasur vizita të ndryshme, në institucione të ndryshme këtu në Lozanë, që të marrim pikërisht ato përvoja që është integrimi i këtyre personave, pasi Zvicra njihet për një marrëdhënie, respektivisht përvoje të jashtëzakonshme me komunitetet këtu. Vetë fakti që në Lozanë jetojnë 168 kombësi të ndryshme, kultura të ndryshme, llojllojshmëri është tregues i qartë i përvojës që ne duhet të marrim me një sjellje të tillë, me politika dhe legjislacion që të bëjmë mikpritjen e qytetarëve të tjerë”, ka thënë ai.
Tutje, ai u pyet se a do të ketë vizitë kthimi nga autoritetet e Lozanës, ndërsa Aliu u shpreh se ka pasur dhe do të ketë, ndërsa deklaroi se beson që shumë shpejtë kryetari i Lozanës do të vijë në Ferizaj për vizitë.
Ndërkaq, i pyetur se çfarë pritet nga takimet e tij me afaristët dhe përfaqësuesit e “Shoqatës të Diasporës së Ferizajt”, ai ka thënë se çfarë kanë folur dhe kanë parë nga këto takime është për t’u admiruar dhe për t’u vlerësuar.
“Ky është treguesi më i qartë se çfarë diaspore kemi, çfarë komuniteti kemi dhe kah po ecën diaspora dhe komuniteti ynë që jeton këtu. Është komunitet tërësisht i integruar në jetën shoqërore, politike, ekonomike, kulturore dhe sportive të Zvicrës, kjo është vërtet e admirueshme dhe si rrallëkush tjetër është duke u bërë në mënyrën më të mirë, dua të përgëzoj gjithë këtë komunitet të tërë që vërtetë ka hyrë në agjendë të zhvillimit ekonomik, politik, kulturor dhe sportiv të Zvicrës”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai u shpreh se tashmë kemi një diasporë krejtësisht të re, me mentalitet, integritet dhe dinjitet, teksa tha se kudo në Zvicër e sheh “dorën” dhe ndikimin e shqiptarëve.
“Kjo është një punë që meriton të i jepet vlerësim i veçantë edhe nga autoritetet e tjera të Republikës së Kosovës sepse bënë pjesë edhe në kuadër të diplomacisë publike. Ndonjëherë kur nuk mund të depërtojë shteti, institucionet qoftë të nivelit shoqëror, qoftë të atij lokal, ne kemi parë shqiptarët këtu duke bërë një punë të mrekullueshme edhe për diplomacinë publike”, u shpreh ai.
Aliu u pyet edhe se çfarë ju mundëson konkretisht mërgimtarëve nëse ata vendosin të investojnë në Komunën e Ferizajt, ndërsa ai u përgjigj se Ferizaj si një ndër komunat më të zhvilluara dhe më të transformuara, teksa u shpreh se ky zhvillim nuk do të ishte i mundur, pa kontributin dhe investimin e shqiptarëve në Zvicër, Gjermani apo vendet tjera të Evropës.
Sa u përket kontakteve me bizneset në diasporë, ai u shpreh se kanë kontakte edhe në bazë të shoqatave që ata kanë teksa mundësinë që është sot e konsideroi si fuqizim të koordinimit dhe bashkëpunimit, në mënyrë që siç tha ai, të ketë cilësi të komunikimit por edhe mundësi më të lehtë të investimeve të tyre në Republikën e Kosovës.
Ndryshe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se çdo herë janë të mirëpritura investimet në këtë komunë, ndërsa u shpreh se nuk ka afat kohor në lidhje me këtë pasi “dera është gjithmonë e hapur” për investime dhe secilën ditë të punës do të mirëpriten investimet dhe komunikimet për bashkatdhetarët.
Intervistën e realizoi Zamira Bytyqi
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve