Koronavirusi: çast pas çasti

Kryetari Bahtiri kërkon që Mitrovica të futet në karantinë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar miratimin nga Ministria e Shëndetësisë për ta futur në karantinë qytetin e Mitrovicës.

Në rrjetin social Facebook Bahtiri ka shkruar se një masë e tillë duhet të merret, pasi komunat tjera me të cilat kufizohet Mitrovica e Jugut tashmë kanë raste me koronavirus.

“Për shkak të kësaj situate që gjendemi të rrethuara me komuna ku ka shumë raste me COVID-19, për ta mbrojtur edhe më shumë qytetin tonë kërkoj urgjentisht nga ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, që të marrë vendim për ta aplikuar masën e karantinimit edhe për qytetin e Mitrovicës”, ka shkruar Bahtiri.

Postimi i plotë i Agim Bahtirit:

Nga 11 raste prej Mitrovicës që janë derguan dje për testim nga koronavirusi COVID-19, fatmirësisht të gjitha kanë rezultuar negativ. Pas Vushtrrisë, Zveçanit, komunës veriore të Mitrovicës, nga dje Mitrovica jugut kufizohet edhe me e Skenderajn si të komunë ku janë evidentuar raste me COVID-19.

Për shkak të kësaj situate që gjendemi të rrethuara me komuna ku ka shumë raste me COVID-19, për ta mbrojtur edhe më shumë qytetin tonë kërkoj urgjentisht nga Ministri i Ministrisë së Shëndetisë, z. Arben Vitia që të merr vendim për ta aplikuar masën e karantinimit edhe për qytetin e Mitrovicës.

I lus qytetarët e Mitrovicës të qendrojnë të qetë në shtëpitë e tyre dhe t’i zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Panik Jo, Kujdes Po! #Rrinshpi