Kosova

Kryetari i KQZ-së: Më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka hedhur shortin për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas këtij shorti, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit do ta ketë numrin 118, Partia Demokratike e Kosovës në fletëvotime do ta ketë numrin 131, Lidhja Demokratike e Kosovës do ta ketë numrin 124, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së bashku me partnerët e koalicionit mbajnë numrin 137, Koalicioni për Familjen do ta ketë numrin 129 në fletëvotim, transmeton albinfo.ch.

Gjatë ceremonisë, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka thënë se gjithçka ka shkuar siç është planifikuar dhe se KQZ-ja sipas tij do vazhdoj me aktivitete në lidhje me fushatën zgjedhore.

Sipas tij, nga 9 janari qytetarët jashtë Kosovës që janë regjistruar do mund të votojnë subjektet e tyre favorite.

“Që nga mesi i muajit gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke zhvilluar përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe deri më tani shumë nga aktivitetet e planifikuara zgjedhore janë kryer dhe të tjera janë duke u zhvilluar. Edhe ngjarja e sotme është e rëndësishme pasi i paraprin disa aktiviteteve tjera zgjedhore siç është miratimi i përmbajtjes së dizajnit dhe të fletëvotimit të zgjedhjeve. Pasi KQZ të miratoj fletëvotimin e zgjedhjeve më 9 janar do të filloj procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës ndërkaq me 11 janar subjektet politike do të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore”, ka thënë ai.