Më 20 qershor 2024, Hamburgu u bë qendra e një ngjarjeje të pazakontë artistike dhe diplomatike, kur Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me një delegacion të lartë vizitoi atelienë e artistit të njohur Shuk Orani. Delegacioni ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, z. Faruk Ajeti, ministri për Komunitete dhe Kthim, z. Nenad Rasic, si dhe zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, znj. Daulina Osmani, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë të rëndësishëm.
Shuk Orani, artisti multimedial dhe koncepcionist i njohur, e priti kryeministrin Kurti me një prezantim të veprimtarisë së tij artistike në ekspozitën e tij të quajtur “Experience”. Ekspozita e tij, e cila është e hapur (15.03.2024) në ATELIER SO në Hamburg dhe është mbështetur nga “Marktplatz der Manufakturen”, shtrihet në një hapësirë prej 2000 m2. Ajo përfshin mbi 95 vepra artistike, si piktura, skulptura, vepra digjitale si dhe filma dokumentarë nga projektet e mëhershme të artistit. Mbi 30 vepra artistike janë të formatit të madh, mbi 2m.
Gjatë vizitës, artisti Orani ia prezantoi disa nga veprat e tij më të dalluara delegacionit të drejtuar nga kryeministri Kurti. Në një atmosferë të gjallë dhe të frytshme, u shkëmbyen mendime dhe u krijua një dialog interesant mes pjesëmarrësve. Ambientet e ekspozitës, të cilat janë kuratuar nga kuratorë ndërkombëtarë dhe nga vetë artisti Orani u bënë qendra e një bisede që shtrihej nga temat artistike deri te ato diplomatike dhe shoqërore.
Vizita e kryeministrit Kurti në atelienë e Shuk Oranit jo vetëm që theksoi rëndësinë e artit dhe kulturës në diplomaci, por gjithashtu shënoi një moment të veçantë për komunitetin artistik dhe kulturor në Hamburg dhe për diasporën kosovare në Gjermani.
Pjesa përfundimtare e vizitës u shoqërua me një diskutim të hapur në lidhje me rolin e artit në shoqëri dhe sfidat aktuale kulturore dhe artistike në të dy vendet. Dialogu i shkëmbyer u përjetua si një hap i rëndësishëm për të thelluar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e kulturës dhe artit.
Nga nikoqirët dhe mbështetësit e artistit ishin të pranishëm edhe: Bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e artistit në disa projekte të veçanta, arkitektja Ardiana Orani, fotografi dhe asistenti i ekspozitave, Daniel Prekepalaj, përkrahësi i pandalshëm Dardan Hazeraj, mbështetësi në eventet e ateliesë, Dominik Prekepalaj.
Me këtë vizitë, Shuk Orani dhe ekspozita “Experience” u bënë jo vetëm një pikë referimi për artin bashkëkohor, por edhe një platformë e rëndësishme për dialogun kulturor dhe diplomatik mes dy vendeve, Gjermanisë dhe Kosovës.