Lajme

Kryeministri Kurti takohet me bashkatdhetarët shqiptarë në Vjenë

Në fund të qëndrimit të tij në Vjenë të Austrisë, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, në mbrëmje  në sallën e hotel “Europahaus” u takua edhe me një numër të madh bashkatdhetarësh që jetojnë në Austri, raporton albinfo.at

Kryeministri Kurti gjatë këtij takimi njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, reformat e ndërmarra dhe me punën e deritanishme të Qeverisë, teksa diskutuan për zhvillimin e vendit, përfshirjen dhe rolin aktiv të mërgatës në atë drejtim.

Kryeministri i falënderoi të pranishmit për mikpritjen e ngrohtë dhe të gjithë diasporën për angazhimin e palodhshëm dhe kontributin e vazhdueshëm.

Ai u shpreh se diaspora është pjesë përbërëse e së kaluarës, tashmes dhe të ardhmes së vendit, dhe i ftoi që së bashku me partnerët e tyre të biznesit të hulumtojnë mundësitë e investimeve në Kosovë.