Kosova

Kryeministri i Kosovës, i vendosur të mos hiqet taksa deri në njohje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës përsëriti qëndrimin se taksa për produktet serbe nuk do të hiqet derisa njohja e shtetit të Kosovës të mos jetë në tavolinë.

Haradinaj në një konferencë për media nuk komentoi qëndrimin e Serbisë për bojkotimin e dialogut me Kosovën deri në heqjen e taksës, e as qëndrimin e Bashkimit Evropian përkitazi me këtë çështje, por tha se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Kreu i ekzekutivit tha se Kosova është ulur në tavolinën e bisedimeve pa ndonjë kusht, por që nuk kanë dhënë rezultate.

“Ende vazhdojmë të pranojmë trupa të pajetë në kufi të Serbisë… Asnjë certifikatë s’iu kanë dhënë Kosovës si kanë vdekur këta njerëz. Janë gjetur në Bajtanicë, Danub… Qysh kanë përfunduar… Ende s’kemi marrë informata  qysh kanë vdekur ata njerëz, qysh ka ndodhur, e le më ndonjë gjykatë. E Kosovës iu ka bërë gjykatë…”, tha Haradinaj.

Ai tha se derisa nuk do të njihet shteti i Kosovës nga Serbia, taksa do të vazhdojë, raporton Telegrafi, përcjell albinfo.ch.

“Qëndrimi im është shumë i qartë… Derisa nuk është njohja në tavolinë, taksa vazhdon”, tha Haradinaj, duke folur për taksën ndaj produkteve serbe.

Haradinaj ka folur edhe për përfshirjen e LDK-së dhe VV në dialogun me Serbinë. Sipas tij, lidershipi në Kosovë në të kaluarën ka dhënë prova për racionalitet.

“Edhe LDK dhe VV duhet ta shqyrtojnë rolin e tyre dhe ta fuqizojnë rolin e Kosovës në pozicionin negociues me Serbinë”, u shpreh ai.

Sipas tij, në rrafshin e brendshëm mund të vazhdojë ‘lufta për pushtet’, por siç tha ai, politika e jashtme është diçka tjetër.

Ndryshe, Haradinaj nuk ka komentuar as përplasjet në Shqipëri rreth mosdekretimit të Gent Cakajt për ministër të Jashtëm të Shqipërisë.

“Unë e du Shqipërinë pa kushte dhe e kam shumë mik Ilir Metën. Nuk komentoj çështjen e emërimeve në Shqipëri”.