Lajme

Kryeministri i këtij shteti të BE-së mbështet kandidaturën e Trumpit për president

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është rizgjedhja si president e Donald Trump.

Në një intervistë me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, Orban lavdëroi politikën e jashtme të Trump, ndërsa kritikoi administratën e Joe Biden dhe qasjen e saj ndaj luftës.

Ai tha se kthimi i Trump në detyrë do të ishte “e vetmja rrugëdalje” nga konflikti dhe se çdo sugjerim se Kievi mund të fitonte luftën kundër Rusisë ishte “një gënjeshtër”.

“Rusët janë shumë më të fortë, shumë më të shumtë se ukrainasit,” tha Orban. “Rizgjidhni sërish Trumpin… Ish-presidenti është njeriu që mund të shpëtojë botën perëndimore”.

Që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022, qeveria e Orban ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën dhe ka kërcënuar të bllokojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.