Kosova

Kryeministri Haradinaj admiron guximin e Vasfije Krasniqit

Sot, para Kongresit Amerikan kanë dëshmuar për krimet e Serbisë në Kosovë, Vasfije Krasniqi, Ilir Bytyqi dhe Atifete Jahjaga.

Dëshmitë e tyre i ka quajtur zë të besueshëm kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili vlerësoi guximin e Vasfije Krasniqit për rrëfimin e saj, përcjell albinfo.ch.

“I admirueshëm guximi i Vasfijes, e cila u bë zëdhënëse e rreth 20-mijë femrave shqiptare, viktima të dhunës seksuale”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Vasfije Krasniqi Goodman është një nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, e cila 20 vite pas luftës rrëfeu publikisht se ishte dhunuar nga serbët.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Dëshmitë e Vasfije Krasniqi-Goodman, Ilir Bytyqit dhe Presidentes Jahjaga në Kongresin Amerikan janë zëri më i besueshëm i Kosovës, për krimet monstruoze të Serbisë gjatë luftës në Kosovë. I admirueshëm guximi i Vasfijes, e cila u bë zëdhënëse e rreth 20-mijë femrave shqiptare, viktima të dhunës seksuale. Mirënjohës Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, i cili mizoritë serbe në Kosovë i emëroi gjithmonë me emrin e tyre të vërtetë, krime kundër njerëzimit. RH