Koronavirusi: çast pas çasti

Kryeministri britanik tashmë ka filluar të përmirësohet

Shëndeti i kryeministrit britanik ka filluar të përmirësohet

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është duke bërë progres shumë të mirë sa i përket luftës me koronavirusit, njoftoi zyra e tij.

Të enjten ai u largua nga reparti i kujdesit intensiv në spital pasi kishte qëndruar aty për tri net.

Qeveria britanike njoftoi të premten se kryeministri ka mundur ta fillojë ecjen, ndonëse shërimi i tij është ende në fazë të hershme.

“Kryeministri po vazhdon të bëjë progres shumë të mirë”, tha një zëdhënëse e qeverisë.

Britania është në mesin e vendeve më të prekura nga koronavirusi në Evropë dhe ekspertët thonë se pandemia në këtë shtet ende nuk e ka arritur kulmin.

Sipas të dhënave më të reja, gati 9 mijë persona kanë vdekur dhe mbi 73 mijë janë infektuar me koronavirus deri më tani në Mbretërinë e Bashkuar.