Lajme

Kronologjia e raportit të fundit të z. Dick Marty nuk përbën risi, ka zënafillen e hershme?

Për vite të tëra kanë qarkulluar nëpër media të ndryshme si dhe në qarqe të ndryshme politike dhe jopolitike histori lidhur me serbët, shqiptarët, joshqiptarët si dhe shqipfolës të rrëmbyer dhe të vrarë për organet e tyre në muajt që pasuan luftën në Kosovë. Sipas disa burimeve, hetimet janë kryer nga tri grupe: Nga hetuesit e Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës dhe Serbia, mirëpo nuk arritën deri më tani të gjenin prova konkrete që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte trafikuar organet e personave të ndaluar apo të rrëmbyer me dhunë pas luftës së Kosovës.

Siç pretendohet, disa serbë të zënë robë lufte ishin dërguarr në një shtëpi në Burrel të Shqipërisë në mes qershorit 1999 dhe majit 2000, ku në mënyrë sistematike iu ishin marrë organet për transplatim, të cilat, siç pretendohet, më pas ishin shitur në tregun e zi. Këto pretendime janë të prezantuara në autobiografinë e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, e botuar më 2008. Por pamundësia për të gjetur burimet origjinale dhe ndonjë provë të re që prej vitit 2004 mund të thonë se kjo histori nuk ishte e mbështetur në fakte.

Prandaj, deri tani të gjitha dyshimet rreth krimeve të përfolura si dhe të lartcekura ishin jo të argumentuara me fakte, apo nuk adresoheshin në emra konkretë të drejtusve të ish-UÇK-së. Mirëpo, në raportin e fundit me titull  “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë” , z. Marty pretendon se posedon fakte konkrete për krimet e kryera si dhe cek Thaçin si njërin nga të përfshirët.

Në projektrezolutën, e cila është miratuar në Strassburg, janë përmbledhur rreth 170 pika lidhur me këtë tematikë. Sipas informatave të mbledhura nga Kuvendi i Strasburgut  dhe nga hetimet penale, tani në proces konkret, shumë të dhëna konfirmojnë se disa konvergjentë serbët dhe disa kosovarë-shqiptarë u mbajtën të burgosur në vende të fshehta të paraburgimit nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë dhe qenë subjekte të dënimeve dhe trajtimeve poshtëruese, para se të zhdukeshin.

Sipas Kryqit të Kuq, afërsisht janë 1.900 persona të humbur gjatë konfliktit dhe fati i të cilëve ende është i panjohur (rreth dy të tretat e të cilëve janë shqiptarë të Kosovës). Në raportin e z. Marty shtrohet pyetja esenciale që pothuajse 500 persona, të cilët u zhdukën pas ardhjes së KFOR-it më 12 qershor 1999, rreth 100 prej të cilëve ishin shqiptarë-kosovarë dhe afër 400 joshqiptarë, shumica prej tyre serbë. Kjo do të thotë që sipas z. Marty nuk pretendohet që vetëm serbët janë viktima, por në raport bëhet fjalë edhe për viktima shqiptarë dhe shqipfolës.

Për të arritur një rezultat transparent, Ministria e Jashme Zvicrane këtë muaj ka marrë vendim që në kuadër të EULEX-it të dërgojë 14 ekspertë zviceranë në Kosovë, të cilët do të veprojnë në fushat që kanë të bëjnë me të kaluarën, për krimet e luftës, për mbrojtjen e dëshmitarëve, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, etj.

Angazhimi i Zvicrës, për mendimin tim, është i mirëseardhur, sepse vetëm me ndihmën ndërkombëtare mund të mbyllet kjo tematikë kaq serioze që ka të bëjë me krime të rangut të lartë, gjithnjë po qe se të kenë ndodhur me të vërtetë? Shteti zviceran, si vend mik i Kosovës, si dhe personalisht zonja Calmy-Rey ka mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë në të gjitha etapat.

Sa i përket pezullimit të përkohshëm të pranimit të çmimit “Diaspora” nga ana e zonjës Calmy-Rey, sipas këndvështrimit tim është plotësisht i pranueshëm në rrethanat aktuale pas publikimit të raportit të z. Dick Marty, por shpresoj dhe jam optimiste se presidentja e Konfederatës Zvicerane në një të ardhme jo të largët do të pranojë jo vetëm një çmim mirënjoheje nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, po ajo do të dekorohet edhe nga Presidenti i ardhshëm i Kosovës në shenjë nderimi dhe respekti për atë që ajo ka bërë për çështjen kosovare.

Është plotësisht e kuptueshme se me raportin e z. Marty politika serbe dhe kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës e kanë përdorur këtë situatë, duke e transferuar në formë polemike për poena politikë në arenën ndërkombëtare dhe, si pasojë e kësaj të fundit, në opinionin shqiptar nganjëherë  raporti i z. Marty interpretohet si i njëanshëm dhe favorizuese ndaj serbëve dhe, në disa raste cilësohet madje edhe si antishqiptar! 

Në këtë kontekst dua të ndaj me ju disa fragmente nga një intervistë e z. Marty dhënë një gazete zvicerane, pas publikimit të raportit të tij. Siç citon: “Nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa u ballafaquar me të kaluarën. Me këtë raport unë veproj jo kundër Kosovës, por për Kosovën – dhe, mbi të gjitha, për ata kosovarë, të cilët, më në fund, duan të jetojnë në një shtet juridik”, u shpreh anëtari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Zvicrës, Dick Marty, në një intervistë dhënë gazetës zvicerane „NZZ am Sonntag“.Konsideroj se organet e hetuesisë të Shqipërisë dhe Kosovës në partneritet të plotë me autoritetet ndërkombëtare duhet të zhvillojnë një hetim transparent dhe të pavarur në lidhje me të gjitha akuzat e përfshira në raportin e Dick Marty dhe nëse gjenden fakte për krimet e mundshme, atëherë aktorët e tyre, kushdo qofshin ata, individualisht le të dalin para drejtësisë, në mënyrë që të marrin dënimin e merituar sipas veprave të tyre.

Le të orientohemi  në parimin themelor të rendit ligjor se askush nuk është mbi ligjin, prandaj po qe se gjenden prova, të gjithë kriminelët duhet të ndiqen dhe të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre të paligjshme, cilësdo palë që i përkisnin dhe pavarësisht nga roli politik që ata kanë. Mirëpo, në qoftë se nga hetimet e kryera në partneritet me organet kompetente ndërkombëtare mungojnë provat, të cilat vërtetojnë akuzat e z. Marty, atëherë z. Marty është i detyruar të japë llogari për shpifje të mundshme ndaj UÇK-së, ose të sqarojë se cilat ishin interesat e ngushta të dikuj që shtyn zotëriun si një personalitet, i cili thirret në parimet humane të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. 

Opinionet e shprehura në këtë kolumnë janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdo mendimet e redaksisë