Kosova
Kroacia flet për marrëveshjen ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë, porosia për vendet tjera

Qeveria e Kroacisë lidhur me deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars, komentoi se nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.
Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.
Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.
“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.
Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.
Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.
Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet.
Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.
“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.
Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.
Por, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.
“Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer.
Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”.
Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s.
NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.
“NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”.
E-Diaspora
-
Shqiptarët falin namazin e Fitër Bajramit në Cyrih Besimtarët myslimanë shqiptarë kanë falur namazin e Fitër Bajramin në Sallën e Sporteve në Kloten, afër...
-
Reflektime mbi Ramazanin, angazhimi, traditat dhe mesazhet për besimtarët
-
Falet namazi i Fitër Bajramit në Lozanë
-
Hap dyert pika e re shkollore në Arbon të Kantonit të Thurgaut
-
Promovim libri nga studentët shqiptarë të Gjenevës dhe KSHGJ
Jeta në Zvicër
-
Demokracia në Zvicër: Pjesëmarrje e ulët në votime – a është kjo demokratike? Në Zvicër, një e shtata e popullsisë mund të vendosë për të gjithë vendin. Pjesëmarrja në...
-
Trotinetët elektrikë të lirë nuk janë gjithmonë të cilësisë së mirë, paralajmërojnë ekspertët
-
Zvicër: Ku të gjeni karburantin më të lirë
-
Zvicra përpiqet ta bëjë ushtrinë më atraktive për vajzat e reja
-
Zvicra nuk di asgjë për planin sekret të azilit të liderit të CDU, Merz