Lajme

Kroaci-Serbi, vazhdojnë kolona automjetesh nëpër vendkalimet kufitare

Kolonat e gjata ende vazhdojnë në Kroaci-Serbi, shkruajnë mediat kroate. Ato raportojnë për kolona të gjata kilometrash të automjeteve që presin për të hyrë në Kroaci, transmeton albinfo.ch.

Njoftohet se pjesa më e madhe e tyre do të kalojnë tranzit nëpër Kroaci.

Njëkohësisht mediat serbe njoftojnë për situatë të njëjtë në vendkalimet kufitare Hungari- Serbi dhe Kroaci-Serbi, kurse si shkas përmenden edhe masat e reja, respektivisht testi i detyrueshëm PCR negativ për hyrje në Serbi që hyn në fuqi nga 20 dhjetori.

Nga ana tjetër, kamerat e ueb faqes zyrtare të Lidhjes Auto-Moto të Serbisë tregojnë kolona të gjata automjetesh për hyrje nga Hungaria në Serbi, kurse situatë e njëjtë është edhe në vendkalimin kufitar me Kroacinë.

Në mesin e udhëtarëve që kalojnë tranzit nëpër Kroaci dhe Serbi, sipas publikimeve nëpër rrjetet sociale, ka edhe shumë qytetarë shqiptarë, të cilët kanë vendosur që festat e fundvitit t`i kalojnë afër familjeve të tyre në Kosovë e Maqedoni të Veriut, aq më tepër kur autoritetet zvicerane ditë më parë shfuqizuan karantinimin për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. /Albinfo.ch