Lajme

Kriza e Kazakistanit mund të trondisë tregun global të energjisë

Vendi i Azisë Qendrore është eksportuesi më i madh i uraniumit në botë dhe është ndër prodhuesit kryesorë të naftës dhe qymyrit.

Shteti i pasur me këto burime po kalon disa nga protestat më të mëdha publike në vite, duke rritur shqetësuar në tregjet e energjisë.

Kazakistani ka qenë një anomali në rajonin e paqëndrueshëm të Azisë Qendrore. Vitet e stabilitetit në vend e kanë shtyrë ekonominë e pasur me burime që të rritet me disa herë gjatë dy dekadave të fundit, nxitur edhe nga miliarda dollarë investime nga firma globale, të tilla si Chevron dhe TotalEnergies e Francës, transmeton Albinfo.ch.

Shteti i ish-Bashkimit Sovjetik është tronditur nga dhuna më e rëndë që ai ka kaluar ndonjëherë në 30 vjetët e tij të pavarësisë. Ditët e trazirave – të nxitura fillimisht nga rritja e çmimeve të karburantit dhe që përfundimisht u shndërruan në një kryengritje kundër korrupsionit dhe nepotizmit – e shtyn Presidentin Kassym-Jomart Tokayev të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të kërkonte trupa nga Rusia dhe aleatët e saj për të ndihmuar në shtypjen e protestave.

Demonstratat dhe masat e ndërmarra më vonë nga eksportuesi kryesor i uraniumit në botë dhe nga një prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit, i kanë lënë investitorët në ankth mes shqetësimeve se trazirat sociale dhe politike mund të minojnë reputacionin e Kazakistanit si një destinacion i besueshëm për investime.

“Në përgjithësi, cilado administratë të dalë nga këto trazira, do të jetë e vetëdijshme se IHD-të [investimet e huaja direkte] janë burimi më i rëndësishëm i pasurisë për vendin dhe nuk do të duan të heqin dorë nga to”, tha për DW ekonomisti Timothy Ash, një ekspert në rajon. “Besohet se sektori i burimeve natyrore do të mbetet relativisht i izoluar nga këto ngjarje dhe është inkurajues fakti që nuk ka pasur ndërprerje të mëdha në prodhimin e energjisë dhe të lëndëve të para”.

“Një pyetje interesante që vlen të bëhet është: nëse përpjekjet e qeverisë për të shtypur protestat bëhen shumë të dhunshme, a do të detyrohen qeveritë perëndimore të vendosin sanksione, si në rastin e Bjellorusisë? Si do të ndikojë kjo tek investimet në Kazakistan?” pyeti Ash. “Mendoj se Perëndimi mund të ndjekë një qasje më pragmatike ndaj çështjeve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes, duke pasur parasysh rëndësinë e Kazakistanit për zinxhirët e furnizimit global”.

Prodhuesi më i madh i uraniumit në botë

Kazakistani prodhon mbi 40% të uraniumit në botë, lënda kryesore që përdoret për reaktorët bërthamorë. Kjo e bën vendin një lojtar kryesor në tranzicionin global, nga karburantet fosile drejt formave të tjera të energjisë. Shumë qeveri, përfshirë Bashkimin Europian, po rrisin përpjekjet e tyre për prodhimin e energjisë bërthamore, si pjesë e planeve për të dekarbonizuar ekonomitë e tyre.

Kazatomprom, prodhuesi më i madh i uraniumit në botë i cili kontrollohet nga shteti, ka thënë se trazirat nuk kanë pasur asnjë ndikim te prodhimi apo tek eksportet deri më tani. Megjithatë, çmimet spot të uraniumit u rritën ndjeshëm javën e kaluar, për shkak të shqetësimeve se trazirat mund të sjellin reduktime të konsiderueshme të prodhimit.

“Çdo reduktim i furnizimit nga Kazakistani do të ndihet shumë në të gjithë globin,” tha Jonathan Hinze, president i firmës së konsulencës për tregjet e karburantit bërthamor, UxC. “Sidoqoftë, tregu i karburantit bërthamor karakterizohet nga periudha shumë të gjata në procesin e prodhimit, kështu që prodhuesit e energjisë bërthamore dhe përpunuesit e karburantit bërthamor mbajnë rezerva të konsiderueshme, si dhe inventarë strategjikë, gjë që ndihmon në mbrojtjen e tyre kundër çdo ndërprerjeje afatshkurtër të furnizimit”.

Cameco, një prodhues i madh kanadez i uraniumit dhe partneri i përbashkët i Kazatomprom, paralajmëroi se çdo ndërprerje në Kazakistan mund të jetë një “katalizator i rëndësishëm në tregun e uraniumit”.

“Edhe sikur asgjë të mos ndodhë, kjo situatë është një kujtesë për të gjitha ndërmarrjet se mbështetja e tepruar në një burim të vetëm furnizimi është e rrezikshme”, tha një zëdhënës i Cameco në një deklaratë.

Kazakistani, i cili furnizon 20% të nevojave vjetore të Europës për uranium, është shfaqur si një lojtar i rëndësishëm në tregun e uraniumit, falë kostove të ulëta të prodhimit në vend, një faktor kryesor ky për prodhuesit e uraniumit në botën pas katastrofës në Fukushima, ku kërkesa dhe çmimet për karburantin bërthamor ranë ndjeshëm.

Megjithatë, çmimet e uraniumit janë ringritur gjatë viteve të fundit, pasi shumë vende po përdorin energjinë bërthamore si një mënyrë për të adresuar ndryshimet klimatike.

“Problemet e fundit në Kazakistan sigurisht që mund t’u japin një shtysë të madhe prodhuesve jashtë Kazakistanit, pasi shumë ndërmarrje synojnë të diversifikohen dhe të mos mbështeten së tepërmi në uraniumin e Kazakistanit”, tha Hinze për DW.