Shkurt.ch

Kritikohen reformat e BE-së për azilin

Komisioni i Parlamentit Evropian për Punët e Brendshme miratoi dy projektligje të BE-së, të cilat synojnë të forcojnë të drejtat e azilkërkuesve.

Mirëpo, shoqatat për refugjatë i vlerësojnë ligjet e reja në mënyrë kritike, raporton DW.

Në të ardhmen azilkërkuesit do të lejohen të nisin të punojnë vetëm pas nëntë muajsh qëndrimi.

Këtë e parashikojnë direktivat e reja evropiane për azilin, të cilat u miratuan ditë më parë nga Komisioni për Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian.

Përveç kësaj, azilkërkuesve u duhet ofruar një “standard jetese i përshtatshëm” dhe ata mund të arrestohen vetëm për arsye të përkufizuara qartë, gjë për të cilën shërben, për shembull, verifikimi i identitetit.

Gjithashtu urdhëresat e reja parashikojnë edhe një reformë të urdhëresës së ashtuquajtur „Dublini II“.

Kjo urdhëresë e BE-së, e vlefshme prej 2003-shit, përcakton që për procedurën e azilit është përgjegjës ai vend i BE-së në të cilin për herë të parë ka hyrë refugjati.

Komisioni pati propozuar pezullimin e këtij parimi kur një vendi i duhet të përballet me një vërshim masiv azilkërkuesish.

Mirëpo, tani shtetet anëtare u morën vesh për futjen e një sistemi të paralajmërimit të hershëm, i cili i lejon Komisionit Evropian që në rast mangësish të dukshme në sistemin e azilit të një shteti anëtar të japë rekomandime.

Reforma parashikon para së gjithash një mbrojtje më të mirë për fëmijët dhe për të rinjtë.

Të gjitha vendimet ishin bashkërenduar më parë me shtetet anëtare të BE-së, kësisoj miratimi i tyre prej Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave konsiderohet vetëm çështje forme.

Megjithatë, Marei Pelzer, përgjegjëse për politikat në fushën ligjore te organizata „Pro Asyl“, e vlerëson shkurtimin e ndalimit të përgjithshëm të së drejtës për punë si një përmirësim. Sido qoftë, përkufizimin e arsyeve që përligjin arrestimin e refugjatëve ekspertja e fushës ligjore e kritikon si shumë të gjerë.