Lajme

Kritika nga Gjermania: “Zvicra po shkel Shengenin, duke sjellë refugjatët te ne”

Andrea Lindholz, nënkryetare e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag: SBB po promovon hyrjen e paligjshme në Gjermani

Rreth një mijë refugjatë arrijnë në kufirin zviceran me Austrinë në Buchs (SG) çdo javë – kryesisht të rinj afganë që nuk aplikojnë për azil, por duan që, përmes Zvicrës, të shkojnë në Francë ose Gjermani.

“Ne lejojmë zyrtarisht udhëtimin e mëtejshëm,” citon “NZZ am Sonntag” deklarimet nga policia e kantonit St. Gallen.

Por, kjo praktikë tani po shkakton kritika të ashpra nga Gjermania: “Nëse këto raporte janë të sakta, Zvicra thjesht po i lejon ata të kalojnë” citohet në gazetë Andrea Lindholz, nënkryetare e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, transmeton albinfo.ch. “Egoizmi kombëtar (i Zvicrës) po dëmton zonën Shengen”.

Një zëdhënës i Zyrës Federale Gjermane për Migracionin ka thënë gjithashtu se kjo ishte një shkelje e Marrëveshjes së Dublinit: “Situata ligjore është e qartë”, sipas tij.

Ndërkaq, Lindholz po bën thirrje për një ndërhyrje në Këshillin Federal të Zvicrës sepse gjithnjë e më shumë emigrantë po udhëtojnë drejt Gjermanisë përmes Zvicrës. Sipas saj, Zvicra duhet të përmbushë detyrimet e saj si anëtare e zonës Shengen dhe të ndërmarrë veprime kundër migrimit të paligjshëm.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) kundërshton kritikat nga Gjermania. Sipas SEM, as Marrëveshja e Dublinit dhe as ligjet e tjera janë duke u shkelur në këtë mënyrë.

Emisioni “Rundschau” i transmetuesit publik të Zvicrës, SRF, kishte treguar në fillim të tetorit se SBB kishte siguruar vagona specialë për migrantët që vinin nga Austria në Buchs në kantonin e St. Gallen për udhëtimin e mëtejshëm përmes Cyrihut në Bazel. Në lidhje me këtë, Lindholz thotë se SBB po promovon kështu hyrjen e paligjshme në Gjermani.

Ndërsa SEM nuk sheh bazë ligjore për ndalimin e njerëzve. Dhe sipas tij, përpara se të përfundojë një procedurë e Dublinit, e cila synon të përcaktojë se cili vend është përgjegjës për kryerjen e procedurës së azilit, refugjatët tashmë kanë udhëtuar më tutje. “Procedura e Dublinit nuk mund të kryhet për njerëzit që nuk janë më të pranishëm këtu”, thotë zëdhënësi i Sekretariatit Shtetëror për Migracion.

Profesoresha e të drejtës së migracionit, Sarah Progin-Theuerkauf, e përshkruan në Rundschau përcjelljen e emigrantëve si “shkelje të ligjit dhe që nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Dublinit”, përcjell albinfo.ch. Sepse procedura e azilit duhet të kryhet në vendin në të cilin refugjati ka hyrë për herë të parë.

Një tjetër profesor i të drejtës së migracionit, Alberto Achermann, i sheh gjërat ndryshe: “Dublini hyn në lojë vetëm kur një person aplikon për azil”, ka thënë ai për “NZZ am Sonntag”.

Emigrantët që mbërrijnë në Buchs zakonisht nuk e bëjnë këtë.