Integrimi
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Kjo është një familje që ka ditur të krijojë një botë të pasur me dashuri dhe bujari, një botë ku gjithçka, nga shtëpia luksoze te zemrat e tyre, shkëlqen me dritën e mirësisë
Në këtë atmosferë festive, ku luksi takon traditën dhe humanizmin, Krishtlindjet në familjen e Anton Nikollës nuk janë thjesht një festë, por një kujtesë e fuqisë së dashurisë, bashkimit dhe kontributit për të mirën e të gjithëve. Kjo është një familje që ka ditur të krijojë një botë të pasur me dashuri dhe bujari, një botë ku gjithçka, nga shtëpia luksoze te zemrat e tyre, shkëlqen me dritën e mirësisë.
Shtëpia e ëndrrave e familjes Nikolla në Zvicër kthehet në një oazë magjike ku ndriçimi, ngrohtësia dhe gëzimi përshkohen nga një atmosferë magjike festive. E ndërtuar mbi një themel dashurie si në filma, mes Antonit dhe Gjaklinës, kjo shtëpi luksoze dhe plot shpirt mishëron jo vetëm ëndrrat e tyre, por edhe vlerat e thella të një familjeje që ruan atdhedashurinë shqiptare dhe kontribuon për të mirën e kombit.
Historia e dashurisë së Antonit dhe Gjaklinës është thelbi i këtij rrëfimi. Një lidhje e ngjashme me një romance të bukur, e ndërtuar mbi respektin dhe përkushtimin, është bërë shtylla e çdo suksesi dhe lumturie që ata kanë arritur së bashku. Antoni, një burrë me vizion të qartë dhe shpirt humanitar, e konsideron Gjaklinën jo vetëm gruan e tij, por edhe frymëzimin më të madh. Ndërkohë, Gjaklina, me elegancën dhe mirësinë e saj të natyrshme, ka krijuar një atmosferë familjare ku dashuria dhe uniteti janë gjithmonë në plan të parë.
Kur hyn në shtëpinë e familjes së Anton Nikollës në Bazel, ndjen se po kalon pragun e një bote ku luksi dhe dashuria bashkëjetojnë në harmoni të përsosur. Shtëpia e tyre, një ndër më luksozet, nuk është thjesht një objekt i pasur material. Ajo përfaqëson një kështjellë vlerash, ku çdo hapësirë reflekton jo vetëm elegancën dhe madhështinë, por edhe historinë, bashkimin dhe shpirtin e një familjeje të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit dhe kombit të vet.
Gjaklina Nikolla ndan me thjeshtësi dhe dashuri: “Kam një sallon bukurie që e bëj si hobi, sepse kam dëshirë të kem kontakt me njerëzit, edhe pse nuk kam nevojë të punoj. Fëmijët janë rritur, dhe e bëj me shumë kënaqësi. Me Antonin jemi 35 vjet në martesë, dhe çdo ditë që kalojmë bashkë, dashuria jonë rritet. Gëzojmë shumë respekt për njëri-tjetrin dhe dëshirojmë t’ua trashëgojmë këtë fëmijëve tanë. Ndihem gruaja më e lumtur në botë, kam një bashkëshort që më respekton dhe fëmijë të mrekullueshëm. Valentina, 33 vjeç, jeton në Cyrih dhe ka marrë drejtimin e patundshmërive nga babai, Leonardi është 31 vjeç dhe punon në biznesin familjar, ndërsa Nue ka mbaruar shkollën për patundshmëri dhe është në shërbimin ushtarak të Zvicrës. Përkushtimi dhe dashuria e tij për kombin dhe familjen është e paepur. Ai do që çdo shqiptar të ecë përpara, dhe unë e mbështes plotësisht.”
Luksi i familjes dhe ruajtjes së vlerave kombëtare
Gjaklina Nikolla, zonja e shtëpisë, e ka shndërruar këtë hapësirë në një mrekulli estetike. Çdo detaj, nga mobiljet e sofistikuara te dekoret e Krishtlindjeve, pasqyron një përkushtim të veçantë për bukurinë dhe ngrohtësinë. Por për Gjaklinën, ajo që e bën këtë shtëpi të madhe të ndjehet gjithmonë e vogël është dashuria që e mban bashkë familjen. “Pavarësisht madhësisë së shtëpisë, nuk ka rëndësi nëse do të na duhet një hapësirë më e madhe kur familja të rritet, sepse ajo që ka rëndësi është prania e njëri-tjetrit,” shprehet ajo me një buzëqeshje. Familja, tradita dhe respekti janë themeli i kësaj harmonie të jashtëzakonshme.
Në këtë shtëpi, çdo kremtim si dhe festa Krishtlindjeve është një festë madhështore. Tryezat e gjata, ku ushqimet e gatuara me dashuri bashkojnë gjeneratat, janë vendi ku luksi nuk matet me arin, por me afërsinë dhe gëzimin e ndarë mes njerëzve të dashur.
Le ta dijë çdo shqiptar se shtëpia dhe suksesin e ka gruaja. Gruaja shqiptare, po pate fat të bashkëpunosh me bashkëshorten tënde, jetën e ke të sigurt, por nëse ti nuk di të çmos bekimin e Zotit. Për ne bekimi i Zotit është bashkëshortja, fëmija, baba, nëna, motra, vëllai – këto janë për ne bekim i Zotit. Në qoftë se di ta vlerësosh këtë bekim të Zotit, jetën e ke të garantuar. Kam përkrenaren që ma ka dhuruar Kristian Cuku, përkrenarja e punuar nga Pirro Rruço, që e dua pafund, është artist i kombit, thotë Antoni.
“Jemi 30 anëtarë të familjes, të gjithë funksionojmë së bashku, gjithsecili nga vëllezërit jeton në vilat e veta, mirëpo biznesin e kemi të përbashkët. Biznesi ynë është funksional vetëm kur është i bashkuar, ne kështu funksionojmë. Kohën e fundit kemi shumë pak nevojë për bankat, sepse “banka” jemi bërë vet,” thotë Antoni.
Anton Nikolla, luksi i shpirtit humanitar
Anton Nikolla, kryefamiljar, është më shumë se një biznesmen i suksesshëm; ai është një njeri që mishëron luksin e humanizmit. I lindur në fshatin Dol të Gjakovës, Anton ka ndërtuar një jetë të mbushur me përkushtim ndaj familjes, kombit dhe vlerave njerëzore. Që prej emigrimit në Zvicër në vitin 1987, Antoni dhe familja e tij kanë krijuar një perandori të vërtetë ekonomike.
“Ne nuk do të ishim këtu pa bashkimin familjar,” thotë ai me krenari. Sot, familja Nikolla gëzon pronësinë e qindra apartamenteve dhe 10 kompanive që operojnë në sektorët e pasurive të patundshme, gastronomisë dhe hotelerisë.
Por suksesi i tij nuk është vetëm material. Përmes shoqatës humanitare “Trans-fair”, Antoni ka ndihmuar Kosovën me donacione që tejkalojnë miliona franga zvicerane. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij Jacques Nauer dhe Peter Baumgartner kanë dërguar ndihma të vyera për vendin, duke përfshirë pajisje shkollore, pajisje spitaleve, materiale për invalidët e luftës dhe mbështetje për ata që kanë humbur gjithçka. Në Korenicë të Gjakovës, Antoni dhe familja e tij ngritën një punëtori rrobaqepësie që punësoi mbi 25 gra të veja të luftës, duke ofruar jo vetëm një mundësi jetese, por edhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Ai siguroi që kjo punëtori të ishte një shembull i bashkëpunimit ndërfetar, duke punësuar gra të besimit mysliman dhe të krishterë në mënyrë të barabartë.
Një nga sukseset më të mëdha të familjes Nikolla është ruajtja e gjuhës shqipe dhe atdhedashurisë kombëtare. Edhe pse fëmijët kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër, ata flasin gegnishten me një pastërti të admirueshme dhe mbajnë gjallë vlerat e kulturës shqiptare.
“Tavolina jonë ka qenë gjithmonë katër metra e gjatë,” thotë Antoni. “Ky ka qenë vendi ku ne kemi festuar çdo moment të rëndësishëm, nga ditëlindjet te Krishtlindjet e të gjitha festat kombëtare.” Për Antonin, luksin e vërtetë e përfaqëson bashkimi familjar dhe respekti për traditat që i lidhin njerëzit me rrënjët e tyre.
“Jetën time nuk do ta ndërroja as me jetën e Donald Trumpit. Jetën e kam aq të plotësuar sa nuk thuhet, për këtë mirënjohës dhe falënderues bashkëshortes sime Gjaklina, që gjithmonë ka qenë jo vetëm krah i imi, por edhe mbështetja për krahu i gjithë familjes mbarë. Kjo ka qenë për mua një urëlidhëse me kunatat, mirësi në familje. E falënderoj nga thellësia e zemrës me dëshirën më të madhe në botë”.
Në këtë shtëpi të ndriçuar nga dritat festive, Krishtlindjet nuk janë thjesht një moment gëzimi familjar. Ato janë një thirrje për bashkim kombëtar dhe dashuri për njerëzit, pavarësisht përkatësive fetare.
“Ne jemi një komb, një trup i vetëm,” thekson Antoni. “Dashtë Zoti që shqiptarët të mos përjetojnë më luftëra. Le të mësojmë të duam njëri-tjetrin, të mbështesim familjen dhe kombin.”
Një shembull për të gjithë
Familja Nikolla – Bekimi, Antoni, Krizmeni, Marjani, Kristiani dhe Palushi – jetojnë dhe punojnë si një trup i vetëm. Të lidhur thellë, ata nuk janë vetëm vëllezër, por njësoj shokë, bashkëpunëtorë dhe partnerë në çdo hap të jetës. Si një trup me shumë degë, ata përbëjnë një unitet të palëkundur, ku çdo pjesë është thelbësore për forcën dhe suksesin e të gjithë familjes. Një lidhje e pandashme, e ndërtuar mbi dashurinë, besimin dhe përkushtimin e përbashkët.
Familja e Anton Nikollës është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur bashkohen vizioni, përkushtimi dhe vlerat. Ajo nuk është vetëm një shembull i luksit material, por mbi të gjitha i luksit të shpirtit – një luks që buron nga bujaria, mirësia dhe dashuria për njëri-tjetrin.
Në këtë atmosferë të mbushur me magjinë e Krishtlindjeve, familja e Anton Nikollës është një shembull i jashtëzakonshëm i asaj që mund të arrijë një lidhje e fortë dashurie, e shoqëruar me pasion për traditën, vlera të larta dhe një shpirt humanitar. Shtëpia e tyre, një vatër luksi dhe ngrohtësie, është një reflektim i dashurisë që ndajnë, një testament për përkushtimin ndaj familjes dhe kombit, dhe një dëshmi e forcës që lind kur njohim vlerën e bashkimit dhe ndihmës së ndërsjellë. Në çdo hap që bëjnë, në çdo festë që kalojnë së bashku, ata na kujtojnë se Krishtlindjet janë më shumë se një periudhë gëzimi – janë një mundësi për të ndarë dashuri, për të dhuruar dhe për të krijuar kujtime që do të zgjasin përjetë.
Anton Nikolla: “Të gjithë shqiptarëve pa dallim ua uroj të gjitha festat dhe shqiptarët qofshin kombi më i lumtur në botë. Të gjitha festat Krishtlindjet, Pashkët, Bajramin, Vitin e Ri t’i gëzojnë festat dhe të punojnë për festën. Unë e dua bashkimin kombëtar, kjo për mua është themelore, unë nuk dua të bëjë ndarje të kombit shqiptarë sipas përkatësisë fetare, katolike, myslimane e ortodoks. Jo. Ne jemi një trup. Ne na kanë ndarë fuqitë e mëdha, sepse ashtu kanë qenë rrethanat për mbijetesë. Dashtë Zoti që kombi shqiptarë kurrë të mos përjetojë më luftën. E them me plotë përgjegjësi, dëshirë edhe vullnet them se populli shqiptar le të merret shumë më pak me politikë, por më shumë me familjen dhe ekonominë. Një njeri që di të dojë familjen e tij babën, nënën, motrën, vëllain, fëmijët ai do di të dojë edhe shteti dhe kombin. Ai që nuk di të dojë familjen e vet, nuk do të dijë të dojë as kombin e vet. Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri!”
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra