Lajme

Krimeja nuk është Kosova, edhe pse kjo nuk i pëlqen Putinit

Pavarësia e Kosovës nuk është arritur falë një pushteti, i cili do të synonte zgjerimin e trevave të saj

Krime nuk është Kosova, pavarësisht se çfarë thotë Vladimir Putin për të justifikuar aneksimin e gadishullit. Ai kishte përdorur tashmë precedentin e ish-provincës së Serbisë në vitin 2008 për të justifikuar luftën në Gjeorgji si dhe shkëputjen e dy rajoneve të vendit, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.
 
Ashtu siç janë ndarë kosovarët nga një shtet sovran pas ndërhyrjes ushtarake, “populli i Krimesë” ka të drejtë të shkëputet nga Ukraina, në qoftë se ajo këtë e dëshiron. Me fjalë të tjera, Rusia, e cila nuk pranonte se në fillim të krizës ka dërguar trupa në gadishullin përtej atyre të stacionuara në bazat detare, po vepron si perëndimorët në ish-Jugosllavi. Ky argument është paraqitur shpeshherë në Evropë nga mbrojtësit e politikës ruse, të cilët gjenden në spektrin politik, nga e djathta ekstreme në të majtën ekstreme.
 
Fatkeqësisht, për ta një krahasim i tillë nuk është i qëndrueshëm.
 
Ajo përdor dallimet dhe ngjashmëritë mes situatës së fundit të viteve 1990 në Ballkan dhe Ukrainës së sotme. Nga njëra anë, Rusia ka deklaruar në vitin 1994 se garanton pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, në të njëjtën kohë me Shtetet e Bashkuara (sipas Memorandumit të Budapestit). Kjo garanci është përtërirë në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit në mes të Moskës dhe Kievit në vitin 1997.

Nga ana tjetër, Krimea u pushtua prej muajit shkurt nga forcat që nuk mbanin shenja dalluese, por që të gjithë i njihnin të jenë të Rusisë. Referendumi u organizua me nxitim, në më pak se tri javë. Data u avancuar tri herë – nga 25 në 30 maj dhe më pas deri në 16 mars – për të krijuar një fakt të kryer. Gjatë zgjedhjeve, mashtrime dhe hile janë konsatuar. Një shembull: në pjesëmarrjen e qytetit Simferopol rezultatet kanë arritur në 123 % !

Orë të tëra të kaluara duke u përpjekur për ta bindur Millosheviqin

Pavarësia e Kosovës nuk është arritur falë një pushteti i cili synonte zgjerimin e trevave të saj. Ai ishte hallka e fundit e shpërbërjes së Jugosllavisë, e cila u përhap gjatë më shumë se një dekade dhe arsyeja e të cilës ishte vullneti i serbit Sllobodan Millosheviq për të krijuar një “Serbi të Madhe”.

Që nga viti 1989, kreu i Serbisë pati rritur presionin ndaj popullsisë etnike shqiptare të Kosovës, duke u angazhuar në një spastrim të vërtetë etnik, si shpagim për veprimet e UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur në Krime, ku situata mbeti e qetë në sheshin Maidan në Kiev, e cila vlonte. Trazirat filluan kur forcat ruse dolën nga bazat e tyre.

 
Në Kosovë paralajmërimet e bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë Rusinë, kryesuar nga Boris Jelcin, ishin të shumta kundër Millosheviqit. Një numër i madh i rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me miratimin ose të paktën abstenimin nga Moska, kërcënonin përdorimin e forcës nëse Beogradi nuk tërheq trupat e saj nga provinca, veçanërisht në fund të vitit 1998.

Nuk ka pasur, në fakt, siç e thotë Kremlini sot, një autorizim zyrtar të Këshillit të Sigurimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi. Por kërcënimi për një ndërhyrjeje të tillë ishte përbërëse e disa rezolutave të OKB-së dhe disa runde të negociatave diplomatike u patën mbajtur, duke u përpjekur për të zgjidhur konfliktin përmes dialogut.

 
Përfaqësuesi special i presidentit Bill Klinton, Riçard Hollbruk dhe i dërguari i Boris Jelcinit, ish-kryeministri rus Viktor Chernomyrdin, kishin kaluar orë duke u përpjekur për ta bindur Millosheviqin të pranojë autonominë për Kosovën. Më kot.

Një proces i gjatë!

Lufta zgjati tre muaj, nga marsi në qershor 1999 dhe përfundoi me votim unanim të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rezoluta 1244 njohu integritetin territorial të Serbisë dhe Kosovës me një status “të përkohshëm”.

 
Ajo lejonte vendosjen forcave ndërkombëtare. Evolucioni i këtij “statusi të përkohshëm” çoi në pavarësinë e Kosovës, të mbyllur pas vetëm një procesi të gjatë, falë negociatave të shumta, veçanërisht nën patronazhin e ish-presidentit finlandez, Marti Ahtisaari, Përfaqësuesi Special i OKB-së. Në fund të misionit të tij, Marti Ahtisaari arriti në përfundimin se pavarësia “nën mbikëqyrjen ndërkombëtare” ishte zgjidhja e vetme.
 
Kjo zgjidhje u refuzua nga Beogradi dhe Moska. Pra shtetet perëndimore nuk patën provuar menjëherë të shkelin kundërshtimet e vendësve. Një grup kontakti u pati themeluar nën udhëheqjen e një diplomati të lartë gjerman, Wolfgang Ischinger, për të gjetur një kompromis të pranueshëm për të gjitha palët. Por kjo përpjekje dështoi gjithashtu, Rusia nuk ka provuar kurrë në të vërtetë të negociojë.

Pavarësia e Kosovës është shpallur vetëm në vitin 2008, gati dhjetë vjet pas ndërhyrjes kundër Serbisë dhe vetëm pasi që të gjitha alternativat e tjera ishin shterur. Prandaj edhe Kosova vetëm në vitin 2012 arriti të fitojë një sovranitet të plotë, e njohur nga Gjykata e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kosova nuk ka asgjë të bëjë me Blitzkrieg-un e kryesuar nga Vladimir Putin në Gjeorgji dhe në Krime.

 
/lemonde.fr/