E-Diaspora

Krijimi i shkollave të mesme dygjuhësore do ta shtonte interesimin për mësimin plotësues*

Shkolla shqipe e mësimit plotësues në mërgatë po ballafaqohet  jo vetëm tash, por edhe qe disa vite, e sidomos pas çlirimit të Kosovës dhe me këtë edhe të « çlirimit »  të bashkatdhetarëve nga ndjenja e sakrificës për atdheun, me rënien e numrit të nxënësve të interesuar për përcjelljen e mësimit poltësues në gjuhën shqipe.

Natyrisht se arsyet e rënies së këtij interesimi nuk janë vetëm të natyrës patriotike, por edhe të natyrës konkrete.

Konkretisht, shkolla shqipe nuk u ofron atraktivitetin e duhur nxënësve të mësuar përgjithësisht me metoda dhe përmbajtje dukshëm më atraktive mësimore të shkollave të rregullta të vendeve ku jetojnë, përcjellja e saj nuk ndihmon shumë në përvetësimin e përmbajtjeve mësimore të shkollës së rregullt, përfundimi i saj nuk e shton seriozisht   kompetencën e tyre për arritjen dhe përfundimin e një profesioni të synuar e as ngritjen e kompetencës së përgjithshme sociale. Që shkolla shqipe të jetë në gjendje të sanojë ofertën e saj aq sa të jetë mjaftueshëm atraktive për të rejat dhe të rinjtë tanë i duhet, sipas mënyrës së tashme të punës dhe të qasjes ndaj këtyre çështjeve, pafundësisht shumë kohë. Pafundësisht, sepse qasja ndaj problemeve të ngritura është ose shikim indolent i gjendjes ose ankesë se pozita e mësimdhënësve është e vështirë, se mungojnë tekstet adekuate mësimore etj. thuajse mësimdhënësit nuk qenkan, ndër të tjera, edhe vetë përgjegjës për krijimin e teksteve mësimore, për ngritjen e kompetencës së tyre metodike e didaktike, për hospitime të ndërsjella e analizime të përmbajtjeve dhe të metodave të tyre mësimore.

Që mësimi plotësues të (ri)fitojë interesimin e nxënëseve dhe nxënësve tanë do të duhej që përmbajtjet e tashme jo vetëm të ofrohen në mënyrë shumë më atraktive seç bëhet tash, por do të duhej që oferta të pasurohej edhe me përmbajtje të reja, që tërthorazi apo drejtpërdrejt do të ishin edhe ndihmë për  përvetësimin e përmbajtjeve mësimore të mësimit të rregullt. Për shembull, historia e Skënderbeut të përfundojë të paraqitet vetëm si histori e një heroi të stripave e të fillojë të trajtohet realisht, duke trajtuar në radhë të parë kushtet dhe rrethanat ekonomike e politike të kohës, sepse kështu, ndër të tjera do t’i ndihmohej nxënëseve dhe nxënësve  të interesuar të njihnin pjesërisht edhe kushtet dhe rrethanat politike e shoqërore të një pjese të Perandorisë Osmane të kohës.

E njëjta gjë vlem edhe për historinë më të re dhe të luftës së fundit çlirimtare, e  cila s’guxon të paraqitet si luftë e superheronjve, por si një luftë e një populli me ekzistencë seriozisht të rrezikuar.

E njëjta gjë do të duhej të ndodhte edhe me përmbajtjet mësimore të gjuhës dhe të letërsisë shqipe, të cilat nuk do të duhej të vazhdonin të ishin vetëm ligjërime mbi biografinë e shkrimtarëve, sado eminentë qofshin ata, të letërisë shqipe, por, në radhë të parë, analizë dhe krahasim i përmbajtjeve të shkrimeve të tyre.

Edhe ngritja e kompetencës sociale dhe e atraktivitetit të mësimit plotësues duhet të sigurohet përmes ekskursioneve mirë të planifikuara, pse jo, në raste të caktuara edhe të harmonizuara me shkollat e mësimit të rregullt, me çka indirekt do t’i kontribohej edhe vetë njohjes së viseve dhe të historisë së atdheut tonë nga nxënëse dhe nxënës të tjerë joshqiptarë.

Por që shkolla shqipe ta shtojë dhe të sigurojë për një kohë relativisht të gjatë numrin e të interesuarve do të duhej që të zgjerojë ofertën e saj edhe me krijimin e shkollave të ciklit ë lartë fillor dhe të mësimit dygjuhësortë nivelit të shkollimit të mesëm me mundësi të arritjes së maturës së përgjithshme dhe të asaj profesionale.

Duke pasur parasysh numrin e  madh të kuadrove shqiptare në Zvicër dhe mundësitë dukshëm më të mira që ka sot shteti shqiptar dhe ai i Kosovës, përfshirë këtu edhe ndikimin (pozitiv) që  mund të kenë edhe politikanët shqiptarë në Maqedoni, realizimi i një qëllimi të tillë nuk do të duhej të ishte joreal.

Natyrisht se arritja e çdo qëllimi kërkon punë dhe organizim, por arritja e cilit qëllim, sado të vogël në dukje, nuk kërkon kohë dhe angazhim?!

Dhe, siç thotë Seneka, më e vështirë se vetë arritja e qëllimeve është mposhtja e bindjes se arritja e tyre është e vështirë.

* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.