Integrimi

Kreshnik B., i akuzuari i parë në Gjermani për pjesëmarrje në IS

Procesi kundër kosovarit Kreshnik B., është procesi i parë që zhvillohet në Gjermani kundër një personi të dyshuar si luftëtar i grupit terrorist IS

Gjykata e Lartë e Landit ne Frankfurt, nën masa të mëdha sigurie është duke zhvilluar procesin kundër Kreshnik B., njëzetvjeçar i cili akuzohet si luftëtar, pjesëmarrës në bandat terroriste në Siri dhe në Irak. Ky është procesi i parë që zhvillohet në Gjermani kundër një ish luftëtari të grupit terrorist IS.

Prokuroria Federale e Shtetit akuzon shtetasin gjerman me prejardhje kosovare se ai është stërvitur si milicioner në Siri dhe ka marrë pjesë në luftime kundër regjimit të Asadit. Ai është anëtar i një organizate të huaj terroriste dhe akuzohet për përgatitje të një akti të rëndë dhune me rrezikshmëri publike në Siri.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria Federale rezulton se B. nga fillimi i korrikut kishte udhëtuar në Siri, përmes Stambollit. Para kësaj ai për disa muaj kishte ndjekur mësime radikale islame. Në Siri Kreshnik B. u është bashkuar grupeve të cilat synojnë themelimin e një shteti të bazuar në ligjet e Sheriatit. Ai është vendosur në një kamp ku është stërvitur për përdorimin e armëve dhe ka marrë një revole, thuhet më tutje në aktakuzë. Pasi që një kohë kishte punuar në shërbimin e sanitetit dhe atë të rojës, ai ka marrë pjesë edhe në luftime.

Kreshniku deri më tash nuk është shprehur rreth akuzave që e ngarkojnë. Por hetuesit kanë informata se ai, ashtu sikurse shumica që kishin vendosur t`i bashkohen xhihadit për këtë ishin bindur pasi ishin radikalizuar nga interneti dhe xhamitë.

Mbetet e paqartë arsyeja përse Kreshnik B., në dhjetor të vitit të kaluar qe kthyer në Gjermani. Nëse gjendja atje ishte bërë tej mase e rrezikshme apo ai e kishte braktisur lëvizjen IS, vetëm mund të spekulohet, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung. Por ajo që dihet deri tash është se nuk ka dëshmi që kosovari të ketë planifikuar sulme terroriste në Gjermani.

Ai qe arrestuar me rastin e aterrimit në Aeroportin e Frankfurtit. Fillimisht procedurën e hetimeve kundër tij e kishte udhëhequr prokuroria e Frankfurtit, ndërsa më vonë këtë e kishte marrë në kompetencë Prokuroria Federale.