Kosova

Krerët e shtetit në Poklek: 12 qershori 1999 shënon fundin e gjenocidit në Kosovë

Sot, në Poklek të Drenasit, është mbajtur manifestimi qendror për shënimin e Ditës së Paqes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e intervenimit të NATO-s, duhet të vijë në Poklek. “22 vjet më parë, kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s vizitoi Kosovën, na la një thënie, e cila rezulton aq shumë edhe tash pas më shumë se 2 dekadash. Në pllakën këtu në Poklek, do ta shihni citatin e tij. Citoj: ”Kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e intervenimit të NATO-s, duhet të vijë në Poklek”.

Prandaj jemi rikthyer sot këtu, ku na ka këshilluar çdoherë edhe vetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe, mbi të gjitha, ku na thërret çdo ditë ndërgjegjja jonë njerëzore. Dhe kthehemi jo pse dikush këtu nga ne ka dyshime rreth drejtësisë së intervenimit të NATO-s, e cila e ndaloi gjenocidin serb, por për ta riktheksuar këtë mesazh sot e çdo herë e për ta kuptuar se sa i shtrenjtë ishte çmimi i lirës për popullin e Kosovës”, tha ajo. Osmani tha se 22 vjet më parë kur forcat e NATO-s hyn në Kosovë, u realizua ëndrra e prijësve tanë, u realizua ëndrra e Ibrahim Rugovës dhe e Adem Jasharit, ëndrra e gjithsecilit që e synuam jetën e lirë.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se 12 qershori është kurorëzimi i të gjitha përpjekjeve për liri. “Ne jemi mbledhur në Poklek, se kush e njeh mirë masakrën, e di sa e thellë është plaga jonë që na e ka shkaktuar gjenocidi i Serbisë. Këtu u vranë mizorisht 53 shqiptarë, e nga të cilët shumë fëmijë. Në Serbi për të gjitha këto nuk ka kurrfarë pendese, përkundrazi në institucione është instaluar ns pushtet trashëgimia politike e Millosheviqit. Rreziku dhe kanosja nga Serbia nuk ka kaluar ende, kërcënimi sot është më i pranishëm se kurrë më parë që nga 12 qershori i vitit 1999, sepse për sa kohë që Serbia ende ka plane për t’u kthyer në Kosovë edhe ato nuk i fsheh hiç ne duhet të jemi të gatshëm ta mbrojmë atdheun tonë me çdo kusht. Sakohë Serbia na ka në kushtetutën e saj, asgjë nuk ka përfunduar me Serbinë. Prandaj 12 qershorin duhet ta festojmë me vigjilencë”, tha ai.

Ndërkohë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti një fjalim, ku tha se 12 qershori shënon fundin e gjenocidit në Kosovë. “12 qershori shënon fundin e gjenocidit në Kosovë. Kosova është e lirë dhe e pavarur, ne do të punojmë që ta bëjmë Kosovën edhe të zhvilluar e sovrane. Kemi partneritet me NATO, ku duam të anëtarësohemi. Jemi mbledhur këtu në Poklek se është dëshmi e gjenocidit serbë në Kosovë. 25 prej të vrarëve kanë qenë të mitur, e 18 persona kanë qenë të mitur. Civilët shqiptar ishin duke u larguar nga shtëpia e tyre, por policia i detyroi të kthehen. Në fund i dogji trupat ë tyre, kjo ishte Serbia e Millosheviqit”, tha Kurti. Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë, derisa tha se do ta padisin Serbinë për gjenocidin. Ai tha se kurrë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi. Në këtë manifestim të ditës së Paqes, morën pjesë edhe ambasadorët e shteteve mike e përfaqësues të institucioneve.