Lajme

Krasniqi cakton për të martën konstituimin e Kuvendit të ri

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do ta caktojë për të martën e ardhshme mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi sot do të takohet me përfaqësuesit e partive parlamentare të dala nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.

Në rendin e ditës të mbledhjes së parë të Kuvendit të ri parashihet formimi i komisioneve të përkohshme për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, si dhe zgjedhja e kryetarit dhe e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, mbledhjen konstituive do ta udhëheqë deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.

Pas verifikimit të mandateve dhe sigurimit të kuorumit, parashihet të bëhet betimi i deputetëve. Deklaratën e betimit do ta lexojë kryesuesi i mbledhjes, ndërsa deputetët në fund të deklaratës do ta shqiptojnë fjalën “Betohem”. Më pas secili nga ta duhet ta nënshkruajë atë deklaratë. Deputeti që mungon në mbledhjen konstituive, kur bëhet betimi, e ka për obligim që të betohet në mbledhjen e parë të radhës. E ata që nuk pranojnë fare të betohen, rrezikojnë të mos i marrin fare kartelat e deputetit.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjen kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë betimin në Kuvend me flamurin e Kosovës, me çka rrezikojnë postet e deputetit.Ndërkohë Kuvendi sot do t’i hapë dyert për regjistrimin e kandidatëve të partive politike që kanë fituar besimin e qytetarëve për t’u bërë deputetë të legjislaturës së katërt.