Kosova

KQZ tregon datën e tërheqjes së shortit për renditjen e partive politike

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar të enjten se gjatë periudhës shtator e deri më 11 dhjetor të këtij viti kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Në një konferencë për media, zëdhënësi në KQZ, Valmir Elezi, ka theksuar se numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë.

Me këtë rast, Elezi ka potencuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjnë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Ndër të tjera, Elezi ka theksuar se është paraparë që me 7 janar të vitit të ardhshëm të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e partive politike në fletëvotim për zgjedhjet 2025.