Kosova

KQZ-ja mblidhet sot

Ajo do të procedojë sipas vendimeve të Gjykatës Supreme, thuhet në një njoftim

Në një njoftim të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet sot në orët e pasdites për të proceduar konform vendimeve të Gjykatës Supreme për listat e kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të lexojë me vëmendje të gjitha vendimet e Gjykatës Supreme dhe ashtu siç e kemi bërë të ditur qysh në fillim të fazës ankimore: Do të veprojmë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot pasdite për të proceduar konform vendimeve të Gjykatës Supreme”, ka thënë Valmir Elezi.

Kujtojmë se dje Gjykata Supreme ka vendosur rreth ankesave të subjekteve politike për certifikimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Kjo gjykatë ka urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi t’u lejohet përfshirja në listën e kandidatëve për deputetë.

Edhe për kandidatin për deputetë, Shemsedin Dreshaj, nga Aleanca për Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Gjykata Supreme ka marrë vendim që t’i lejohet përfshirja në listën e kandidatëve.