Lajme

Kostot e banimit e shtojnë varfërinë në Gjermani

Kostot e banimit po e rëndojnë gjithnjë e më shumë gjendjen financiare të gjermanëve. Një analizë e re tregon një panoramë alarmante të varfërisë në vend. Çmimet e qirave kanë vijuar të rriten në vitet e fundit, duke e bërë më të vështirë për shumë njerëz të mbijetojnë. Përveç qirasë, shpenzimet për ngrohjen dhe energjinë elektrike janë shtuar gjithashtu, duke e bërë edhe më të rëndë këtë situatë për ata me të ardhura të ulta. Kjo ka çuar në një situatë ku shumë persona po arrijnë në kufijtë e mundësive të tyre financiare.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Përgjithshme të Barazisë, (Paritätischer Gesamtverband) shumë njerëz në Gjermani shpenzojnë më shumë se një të tretën e të ardhurave të tyre vetëm për qiranë, disa madje më shumë se gjysmën.

Shoqata publikoi së fundmi një studim, në të cilin bëhet një përllogaritjeje e re të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave për të vlerësuar varfërinë në Gjermani. Për herë të parë aty merren parasysh e ardhura që u mbetet qytetarëve pas heqjes së kostove të apartamentit, ngrohjes dhe rrymës elektrike.

Rritja e vazhdueshme e çmimit të qirave në vitet e fundit ndjehet shumë tek gjermanët, sidomos ata me të ardhura të ulta | Fotografi: Hauke-Christian Dittrich/picture alliance

Konkluzioni: Nga varfëria për shkak të kostove të banimit janë të prekur 21,2% e popullsisë në Gjermani, që do të thotë 17,5 milionë vetë. “Po të merren në konsideratë kostot e banimit, do të dilte në pah një grup shtesë deri më tani i pa konsideruar prej 5,4 milionë vetësh që jetojnë nën kufirin e varfërisë”, theksohet në studim.

Cilat janë grupet më të prekura?

Në studim janë analizuar edhe grupet më të prekura nga ky fenomen: 21,7 e qytetarëve me vështirësi sociale për shkak të kostove të banimit janë nga mosha 65 vjeç e lart. Por edhe të rinjtë, sidomos ata nga mosha 18 deri në 25 vjeç janë në kufijtë e varfërisë. Kuota e varfërisë tek ky grup është në masën 31%. E lartë është kuota e varfërisë për shkak të kostove të banimit edhe tek familjet me një prind, 36%. Beqarët, sidomos ata në moshën e pensionit po ashtu janë mjaft të rrezikuar, kuota këtu është 41,7%.

Joachim Rock, drejtor i Shoqatës së Pëgjithshme të Barazisë | Fotografi: Die Hoffotografen GmbH Berlin

Banimi po kthehet gjithnjë e më shumë në katalizator varfërie në Gjermani. Joachim Rock, drejtor i Shoqatës i shikon me sy kritik zhvillimet në tregun e imobiljeve në Gjermani. “Hendeku po bëhet gjithnjë e më i madh për shkak të rritjes së kostove të strehimit.” Shoqata e Përgjithshme e Barazisë në Gjermani bën thirrje për ndërtimin e gjithnjë e më shumë apartamenteve me bazë sociale. “Duhet një politikë me fokus shmangjen e varfërisë në Gjermani, paga të mira, sigurime sociale më të mira dhe një politikë strehimi që i mban qiratë të përballueshme,” u shpreh Joachim Rock.

Në BE si i varfër apo “i rrezikuar nga përjashtimi social” konsiderohet një person që ka më pak se 60% të të ardhurave ekuivalente mesatare. Në Gjermani sipas Zyrës Federale të Statistikave të prekur nga varfëria janë rreth 12 milionë gjermanë, konkretisht çdo i shtati (14,3%). /DW