Manifestime

“Kosovo Dreams” një film zviceran për ambientin në Kosovë

Sensibilizimi i opinionit kosovar me temën e ambienti është në fokus të filmit, me protagoniste këngëtaren dhe aktoren zvicerane Alexandra Prusa

Në festivalin kryesor të filmit zviceran, atë të Soloturnit, që mbahet nga fundi i janarit, do të prezantohet edhe filmi me tematikë nga Kosova “Kosovo Dreams”.

Syzheu i filmit, në pika të shkurtra është ky: Aktorja dhe këngëtarja zvicerane Alexandra Prusa preokupohet me gjendjen e ambientit në Kosovë dhe provon që përmes një turneu koncertesh të sensibilizojë njerëzit e atjeshëm rreth kësaj teme. Kështu, ajo gjatë turneut mbledh dëshirat e shprehura me shkrim të fëmijëve lidhur me një të ardhme ekologjike të vendit të tyre dhe tekstet në fjalë ua jep kompozitorëve kosovarë për të kompozuar këngë mbi bazën e tyre.

Pastaj, Prusa me bendin e saj “Broken Dreams” i interpreton ato këngë në të gjitha gjuhët që fliten në Kosovë dhe mban koncerte në qytetet kryesore të vendit.

Koncerti i parë qe kurorëzuar me sukses, atij i kanë duartrokitur ministra dhe ambasadorë dhe është transmetuar në televizion. Por ndërkohë lind një kontroversë, për faktin se njëra ndër këngët është në gjuhën serbe…

Regjinë e filmit e ka bërë regjisorja zvicerane nga Gjeneva, Valeria Stucki.

Premiera e filmit “Kosovo Dreams” do të shfaqet më 27 janar nga ora 12.00 në Kino Landhaus dhe më 31 janar nga ora 14.30 në Kino Palace.

http://www.solothurnerfilmtage.ch/home/page.aspx?page_id=4002&a_id=3996