Kosova

Kosovë: Dy prej të infektuarve me koronavirus, në gjendje të rëndë

Nga 35 që po trajtohen në Klinikën Infektive, dy janë në gjendje të rëndë.

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 35 pacientë të infektuar me koronavirus, e dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, ka thënë infektologu Shemsedin Dreshaj.

“35 të infektuar me COVID-19 janë të shtrirë në Infektivë. Katër prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe dy të tjerë janë në gjendje kritike”, ka thënë Dreshaj. Ai tutje ka thënë se dy pacientë janë shëruar dhe janë liruar për në shtëpi.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka njoftuar për 23 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin në 250.

Po ashtu IKSHPK-ja ka njoftuar se katërmbëdhjetë pacientë janë shëruar, duke çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 52.