Kosova

Kosovë: Shfuqizohet vendimi për kufizimin e qarkullimit të mjeteve mbi 7.5 tonë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, të shtunën, më 13 korrik, kishte marrë vendim për të ndaluar qarkullimin e të gjitha automjeteve të transportit të mallrave me peshë më të madhe se 7.5 tonë, për të ruajtur rrugët nga dëmtimet si pasojë e temperaturave të larta.

Sipas njoftimit, vendimi kishte për qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore në kushte të vështira klimatike që mund të shkaktonin dëmtime të konsiderueshme, transmeton albinfo.ch.

Zëvendësministri Hysen Durmishi ka njoftuar sot se ky vendim është shfuqizuar, duke u bazuar në parashikimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të cilat tregojnë për një rënie të ndjeshme të temperaturave në ditët në vijim, është marrë vendimi për të lejuar qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave.

“Duke marrë parasysh parashikimin e motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sipas të cilit parashihen rënie të ndjeshme të temperaturave ditëve në vijim, kemi marrë vendim: Shfuqizimin e vendimit të datës 13 korrik 2024, për ndalimin e qarkullimit në Autoudhë, Rrugë Nacionale dhe Rajonale të automjeteve për transportin e mallrave me peshë më të madhe se 7.5T”, ka shkruar ai.

Vendimi ishte llogaritur të vlejë nga data 14 deri më 31 korrik 2024 për periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.