Kosova

Kosovë: Sekuestrohen 33 kilogramë ari

Policia e Kosovës ka njoftuar se ditën e shtunë ka kryer disa kontrolle në shtatë lokacione në komunën e Gjilanit, pas dyshimeve që disa argjendari po ushtronin tregti të paligjshme.

Si rezultat i kontrolleve, policia ka arrestuar gjashtë persona, ka sekuestruar përkohësisht mbi 33 kilogramë ari, mbi 14 mijë euro dhe mbi 9 mijë franga zvicerane,

“Gjilan, 01.06.2024-15:00. Sektori për Hetimin e Korrupsionit i Policisë së Kosovës në koordinim me Doganën e Kosovës pas pranimit dhe verifikimit të informatës për dyshim për Tregti të paligjshme nga disa biznese që ushtronin veprimtarinë argjendarive, kanë ndërmarrë veprime operacionale në rajonin e Gjilanit duke kontrolluar shtatë (7) lokacione të ndryshme me ç’rast gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht: 33kg e 310 gram ari (tridhjetë e tre kilogramë e treqind e dhjetë gram ari), 14.650.00€ dhe 9.720.00 franga zvicerane”, bëhet e ditur në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se lidhur me rasti janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje.