Lajme
Kosovë: Rritje e numrit të grave të prekura nga kanceri i gjirit
Profesoresha Lindita Rugova, u diagnostikua me kancer të gjirit para 11 vjetësh, në një kohë kur siç thotë ajo, ende nuk ishin konsoliduar institucionet shëndetësore që trajtojnë këtë sëmundje.
“Ka qenë periudhë shumë e rëndë kur nuk kemi pasur edhe Institut të Onkologjisë të themeluar tamam siç është tash. Kanë qenë vetëm ata hapat e parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kur sapo kishte filluar të punonte Onkologjia, por ende nuk kishim onkologë të mirëfilltë”, tha ajo në një bisedë me Zërin e Amerikës.
Trajtimi nëpër të cilin kaloi zonja Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ishte i gjatë dhe sfidues.
“Unë kam qenë shumë e re, 36 vjeçe, pa një histori kancerogjene në familje nga ana femërore, por me një karcinomë duktale goxha invazive në gjirin e majtë, e cila kishte filluar pak të shpërndahej por prap se prap e zumë në fillim sipas mjekëve dhe i përfunduam të gjitha protokollet mjekësore në atë kohë, por unë e mora me shumë vendosmëri mund të them”, thotë ajo.
Pak kohë pasi ishte përmbyllur plotësisht trajtimi i saj, zonja Rugova ridiagnostikohet me këtë sëmundje.
“Diku në vitin 2021, pas Covidit të vështirë që e kaluam, u ridiagnosikova përsëri. Tashmë jo me një tumor të ri por me metastaza të tumorit të vjetër në mushkëri. Diagnoza, këtë e mësova atëherë, nuk quhej më kancer i mushkërive, por quhej neoplazmë apo kancer metastatik sekondar i gjirit, pra ishin prap pasojat e kancerit të gjirit por që tash shfaqeshin në një organ vital”, rrëfen zonja Rugova.
Ridiagnostikimin, ajo e quan bombë emocionale për të dhe familjen për herë të dytë.
“Por tashmë e dija se çfarë është kanceri pak më mirë se herën e parë, e dija se çfarë mund të prisja nga kjo sëmundje. Pjesa më e vështirë ka qenë pritja për tri javë derisa kuptuam se në ç’fazë është, a ka përfshirë gjithë trupin apo vetëm mushkëritë. Në këtë kemi qenë më të rënduar e më të mërzitur si familje”, thotë ajo.
Ka një vit që ajo po vazhdon trajtimin shëndetësor, ndërsa përpiqet vazhdimisht të punojë në ndërgjegjësimin e grave mbi këtë sëmundje.
“Kur u diagnostikova për herë të dytë, unë ende e mbaj në mend atë mërzitjen, atë përballjen e familjes me sëmundjen, saqë e harrova vetveten dhe fillova të kujdesesha më shumë që të mos flisja para tyre sesa ta kuroja veten nga aspekti psiqik. Sepse për familjen është edhe më e rëndë, nuk po them financiarisht sepse ajo është plus një barrë shtesë. Por nga aspekti emocional është tepër e rëndë sepse gjithmonë kur dëgjohen fjalë si kancer apo metastazë, jep indikacion jo të mirë për të gjithë. Pra te vetkontrollohen, të shkojnë nëpër vizita, së paku një herë në vit të bëjnë një eho të gjirit, nuk po e lidhi me moshë por unë kisha thënë edhe vajzat e reja sapo t’i bëjnë 20 vjet”, thotë zonja Rugova.
Arben Bislimi, ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës së Onkologjisë në Prishtinë, thotë se këtë vit është shënuar ngritje e numrit të grave të regjistruara me kancer të gjirit deri në pesëmbëdhjetë për qind.
“Deri në fund të shtatorit kanë qenë afërsisht një mijë e 200 raste, me kancer gjiri afër 300. Sipas një përllogaritjeje, deri në fund të vitit parashohim që ky numër do ta tejkalojë ndoshta 400-shin. Nëse krahasohet me vitin e kaluar kemi një rritje domethënëse, 10 deri 15 për qind. Kjo rritje është konform ecurisë së sëmundjeve malinje në përgjithësi, por edhe në vendin tonë”, thotë ai.
Zoti Bislimi thotë se ka ngritje gjithashtu të shkallës së ndërgjegjësimit të grave për këtë sëmundje.
“Është një situatë diçka më e mirë, është e prekshme edhe në Klinikën tonë. Ta zëmë disa të dhëna që i kemi pasur para tre apo katër vjetëve, në i shohim se në çfarë stade na vijnë pacientët këtu të diagnostikuar. Derisa kishim dikur 60 me 40 në favor të atyre stadeve më të avancuara si 3 e 4, tash veç kemi raste që janë stadi 1 apo 2 por edhe ato karcinoma që nuk e kanë kaluar epitelin”, thotë zoti Bislimi.
Derisa nuk ka një formë tjetër të parandalimit të kësaj sëmundje, e vetmja mundësi mbetet zbulimi i hershëm, thotë zoti Bislimi, ndërsa bën thirrje që kontrollet e zakonshme të bëhen në mënyrë të vazhdueshme.
Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit në Kosovë dhe Evropë dhe rrjedhimisht ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë. Kjo sëmundje kryesisht godet gratë, por pa përjashtuar burrat./VOA
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora 107,158 votues nga diaspora kanë aplikuar për votim në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të...
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
Jeta në Zvicër
-
Migros viktimë e kriminelëve kibernetikë që ua keqpërdorin logon Paralajmërimi nga Zyra ndërkantonale Zvicerane për Parandalimin e Krimit (SKP) erdhi pak para Krishtlindjeve: “Përpjekjet për...
-
Si do të ndikojnë te qytetarët ndryshimet në ekonominë zvicerane në vitin 2025?
-
Ҫfarë mund të prisni në Zvicër në vitin 2025?
-
Taksat e turizmit shtohen në koston e pushimeve të skive në Alpet zvicerane
-
Aplikimi për patentë shoferë, një hap me rrezik të lartë për të moshuarit