Kosova

Kosovë: Rritet numri i njerëzve që udhëtojnë me aeroplan

Rreth 580 mijë njerëz në Kosovë kanë përdorur aeroplanin si mjet transporti gjatë muajve prill-qershor 2019, përcjell albinfo.ch.

Krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, është shënuar një rritje prej 11.24%, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në kuadër të publikmit Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit TM – 2/2019.

ASK po ashtu ka bërë të ditur se është shtuar edhe numri i fluturimeve. “Sa i përket numrit të fluturimeve në tremujorin e dytë të vitit 2019, kemi pasur 2173 fluturime  apo 11.03% më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM 2 2018)”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, ka rënë numri i njerëzve që e përdorin trenin si  mjet udhëtimi. “Në tremujorin e dytë të vitit 2019, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 30 mijë, krahasuar me tremujorin e njëjte të vitit të  kaluar (TM 2 2018), numri i udhëtareve është zvogëluar  për 19.3%”, ka bërë të ditur ASK.

Kurse transporti i mallrave me tren në tremujorin e dytë  të vitit 2019 është 153 mijë ton, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje  për  58.7%, përcjell albinfo.ch.

Këto statistika, që janë publikuar sot, përmbajnë të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor, dhe Telekomunikimin për tremujorin e dytë të vitit 2019.