Kosova

Kosovë: Qeverisë i kërkohet fond emergjent pas vërshimeve

Dëmet që shkaktuan vërshimet nga reshjet e shiut në Kosovë llogaritet të jenë të mëdha.
Në këtë drejtim, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë një fond emergjent komunave.
Kjo kërkesë e AKK vjen pas vërshimeve që përfshin disa komuna të Kosovës gjatë kësaj jave, që shkaktuan dëme në ekonomitë familjare, bizneset, infrastrukturë rrugore e të tjera.

“Vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore. Bordi i AKK-së kërkon që fondin emergjent ta menaxhojnë komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre”, thuhet në një njoftim për media të AKK-së përcjell albinfo.ch.

Komunat më të prekura nga vërshimet janë: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut, Istog dhe Klinë.

Ndërkohë, në komunat e prekura nga vërshimet janë formuar komisione për evidentimin e dëmeve.