Kosova

Kosovë: Presidentja fton liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar liderët e partive politike në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Në letrën zyrtare dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

Takimi është thirrur për datën 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas ftesës, duke thënë se zgjedhjet e rregullta parlamentare mund të mbahen në periudhën nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit të vitit 2025.

“Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen në periudhën mes fundit të janarit dhe mesit të shkurtit të vitit 2025. Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të tetorit për ta caktuar ndonjërën prej këtyre datave. Zgjedhjet, më herët se në janar, mund të jenë veç të parakohshme – pas shpërndarjes së Kuvendit (me 2/3 e votave) apo rënies së qeverisë (përmes mocioneve apo dorëheqjes së KM)”, ka shkruar ai.

Ndryshe, zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021.