Kosova

Kosovë: Përurohet Spitali i fëmijëve, donacion 22 milionë eurosh

Sot në Prishtinë u inaugurua Spitali për Fëmijë, i cili u ndërtua si donacion prej 22 milionë eurosh i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në këtë ceremoni morën pjesë krerët më të lartë të shtetit dhe Sheikh Abdulla bin Mohammed bin Butti Al Hamed.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, në kohën e së cilës nisi ky projekt, tha se vullneti i fuqishëm dhuroi durimin dhe ndihmoi të kapërcehen të gjitha pengesat.

“Ndërtimi i Spitalit për Fëmijë është, pa dyshim, një shenjë e fuqishme e miqësisë dhe partneritetit që kemi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Së bashku, jetësuam një ëndërr duke realizuar një projekt modern e të sofistikuar, i cili do t’u lehtësojë fëmijëve trajtimin spitalor dhe do t’i kursejë shtetit miliona euro që më parë ishin shpenzuar për shërimin e pacientëve jashtë vendit”, tha Jahjaga.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se është kënaqësi të jetë i pranishëm në përurimin e spitalit të fëmijëve.

“I jemi mirënjohës për këtë kontribut të çmuar në fushën e shëndetësisë. Përveç se investim në infrastrukturën shëndetësore, ky projekt është investim në fëmijë, në të ardhmen e vendit tonë. Është thelbësore që të kujdesim për ta. Gati të gjitha prioritetet tona janë të lidhur me fëmijët”, tha Kurti, përcjell Albinfo.ch.