Kosova

Kosovë: Numër i lartë i aksidenteve në komunikacion

Në Kosovë numri i aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon të jetë  i lartë. Ndërkaq shkaku kryesor është faktori njeri. Sipas ekspertëve, kjo po ndodh sepse nuk po respektohen rregullat e përgjithshme në trafik.

Aksidentet me fatalitet në Kosovë vazhdojnë të jenë të larta. Gjatë muajit shkurt në një aksident në afërsi të Shtimes humbën jetën katër persona, derisa mbrëmë në Mazgit humbi jetën një person dhe katër të tjerë u lënduan.

Njohës të rregullave të komunikacionit vlerësojnë se shkaktarët e aksidenteve rrugore janë të shumtë, por që faktori njeri është kryesor.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, i tha Radio Kosovës se shkaktari më i madh i aksidenteve është faktori njeri. Sipas tij, ndër arsyet e tjera kryesore janë të aksidenteve janë; vozitja e shpejtë, mosrespektimi i distancës, mosrespektimi i shenjave të trafikut përdorimi i shpeshtë i telefonave mobilë etj., përcjell albinfo.ch.

“Te faktori njeri ndikimin më të madh e kanë lodhja, vozitja nën ndikimin e alkoolit, përdorimi i substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë”, ka theksuar ai.

Sipas Dedajt, në rritjen e aksidenteve mbetet edhe faktori rrugë dhe ai i automjeteve të vjetra si dhe mungesa e sinjalizuesve.

“Ndërsa, për sa i përket faktorit rrugë do të përmend disa elemente, siç janë: mungesa e sinjalizimit diku rreth 40 për qind, pastaj mungesa e  sinkronizimit të shenjave horizontale dhe vertikale”, ka shtuar ai.