Lajme

Kosovë: Njohësit e ekonomisë kërkojnë që zhvillimi ekonomik të jetë prioritet

Ekonomia e Kosovës ka mbetur nën hijen e politikës, derisa për zhvillim ekonomik me tepër janë duke kontribuuar komuniteti i biznesit dhe diaspora. Derisa përfaqësues të bizneseve theksojnë se ka një stagnim të inflacionit, qytetarët ankohen edhe më tutje për çmime të larta në treg. Ekonomistët shtrojnë nevojën për monitorim të tregut nga ana e inspektorëve kompetentë.

Çmimet e disa artikujve ushqimorë,  kanë shënuar një rënie të lehtë dhe ajo vërehet te perimet, qumështi, djathi dhe vezët përderisa ka një ngritje të çmimeve te pemët.

Qytetarët ankohen për çmime të larta të produkteve bazike.

“Ka ngritje të çmimit, nuk ka kualitet. Në çdo produkt ka rritje. Janë shtrenjtuar, dhe vetëm ai që ka mundësi mund t’i blejë”, tha një qytetar për Radio Kosovën.

Ekonomisti Safet Gërxhaliu në një prononcim për Radio Kosovën thotë se derisa në vendet të ndryshme evropiane kemi një inflacion dhe çmimet janë stabile, në Kosovë lajmërohet ulja e inflacionit, derisa kemi ngritje të çmimeve. Ai thotë se Kosova është duke importuar një inflacion, të cilin po e paguan qytetari i Kosovës.

“E tëra këtë e dëshmon një tregti spekulative, mungesë të monitorimit të tregut e në veçanti mungesë të inspektorëve. Por ajo që është më shqetësuese është fakti që sot edhe diaspora vëren që shumë produkte të importuara shumë më shtrenjtë janë në Kosovë sesa në vendet evropiane dhe e tëra e dëshmon faktin se duhet të bëhet më tepër në mbështetje të sektorit privat, sektorit prodhues dhe të përmirësohet bilanci i pagesave, sepse ne jemi duke importuar edhe inflacion, e të cilin po e paguan qytetari i Kosovës përmes ngritjes së çmimeve”, theksoi Gërxhaliu.

Ndërsa, përfaqësuesi i bizneseve, Agim Shahini, duke folur për Radio Kosovën, thotë se inflacioni  në këtë vit ka një stagnim, por janë disa produkte që ende janë në nivelin e lartë.

“Kjo bën që në Kosovë realisht ekonomia të goditet nga kriza ekonomike globale, nga rritja e çmimeve dhe nga inflacioni. Të gjitha këto kanë bërë që Kosova të jetë një vend ku realisht 23 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri dhe në Kosovë mund të jetë edhe më keq nëse qeveria e vendit nuk e vë si prioritet zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër varfërisë.  Prioritet për Kosovën aktualisht është dialogu me Serbinë, prandaj ekonomia ka mbetur në një anë, e varfëria është prezente dhe në rritje”, tha Shahini.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në matjen e fundit,  ka bërë të ditur se Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,8 për qind në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022.