Kosova

Kosovë: Nis Java e Krenarisë, kërkohet avancimi i të drejtave të komunitetit LGBTIQ+

Avancimi i të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ (lesbiket, homoseksualët, biseksualët, transgjinorët, ndërgjinorët e të tjerë) në Kosovë është ende sfidues.

Kjo u tha në hapjen zyrtare të Javës së Krenarisë, teksa Qeveria e Kosovës është zotuar se do t’i adresojë të gjitha përgjegjësitë që ka në këtë drejtim.

“Mosvotimi i Kodit Civil në vend, i cili do t’i hapte rrugë ligjit të veçantë për bashkësi civile, por edhe martesat, na ka treguar që duhet punë, angazhim e emancipim shoqëror në fushën e të drejtave të njeriut”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Java e Krenarisë u dedikohet pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+. Përgjatë kësaj jave, në shumë vende zhvillohen marshe e protesta, me kërkesën për njohjen e të drejtave ligjore për martesa mes personave të gjinisë së njëjtë.

Haxhiu ka thënë se kjo javë është më së shumti për personat që nuk kanë qenë prezentë në ceremoni, për shkak të, siç ka thënë ajo, stigmës dhe paragjykimeve.