Kosova

Kosovë: Ministria e Shëndetësisë kufizon orarin e punës në disa kategori, shkak temperaturat e larta

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka vendosur që të kufizojë orarin e punës deri më 20 korrik, në disa kategori. Vendimi është marrë si pasojë e temperaturave të larta, transmeton albinfo.ch.

Sipas vendimit, i cili është marrë në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri më 20 korrik gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna. Nëse kjo është e pamundshme, sipas MSH-së, gratë shtatzëna duhet të punojnë nga shtëpitë.

Me orar të shkurtuar duhet të punojnë personat me sëmundje kronike. Në sektorin e ndërtimtarisë ndalohet puna në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00-17:00.

Tutje, në vendim thuhet se varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë korrikut dhe gushtit, do të merren masa të tjera.

“Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta”, thuhet në njoftim.