Lajme

Kosovë: Mbi 1 mijë raste të dhunës ndaj gruas në familje vetëm gjatë vitit 2020

Sot në gjithë botën shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Gruas’. Në disa vende festohet kjo ditë, e diku tjetër protestohet për të drejtat e barabarta të grave në shoqëri.

Megjithatë, një ndër problemet kryesore, siç është dhuna fizike në bazë gjinore, mbetet e përhapur në mbarë botën.

Në Kosovë numri i rasteve të dhunës në familje, ku viktima janë gratë është rreth 3 herë më i lartë se numri i rasteve të raportuara, ku viktima janë burrat, shkruan Albinfo.ch.

Vetëm gjatë vitit 2020, sipas raportit të Policisë së Kosovës, janë 1362 raste të dhunës në familje ku viktima janë gratë, ndërsa numri i rasteve është më i vogël sesa numri i viktimave, pasi në një rast të lajmëruar ka më shumë se një viktimë. Ndërsa, po gjatë këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 469 raste të dhunës në familje, ku viktima janë burrat.

Ndryshe, në vitin 2019 numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje në përgjithësi ka qenë më i ulët në krahasim me vitin 2020, por prapë numri i viktimave të gjinisë femërore ka qenë më i lartë, shkruan Albinfo.ch.

Ky është raporti i plotë i Policisë së Kosovës:

– Në vitin 2020, janë evidentuar 2069 raste ‘dhunë në familje’, sipas gjinisë viktima të këtyre rasteve kanë qenë 469 meshkuj dhe 1362 femra (numri i rasteve është më i vogël se numri i viktimave, pasi në një rast ka më shumë se një viktimë).
– Në vitin 2019, janë evidentuar 1915 raste ‘dhunë në familje’, sipas gjinisë viktima të këtyre rasteve kanë qenë 365 meshkuj dhe 1557 femra (numri i rasteve është më i vogël se numri i viktimave, pasi në një rast ka më shumë se një viktimë).