Lajme

Mbërrijnë 15 mijë teste për Covid-19, kontribut i diasporës në Gjermani

Sot është realizuar donacioni nga Ecolog, Eurokoha dhe AWR Abbruch dhe prej tij, 12 mijë kite janë të dedikuara për IKSHPK-në (Kosovë), 2 mijë për Maqedoni dhe 1 mijë për Preshevën.

Ministri kosovar i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha sot se kontributi i donatorëve është përkrahje e madhe për luftimin e pandemisë Covid-19, ndërsa falënderoi profesionistët shëndetësorë për kontributin e tyre në luftën kundër sfidës së shëndetit publik në Kosovë.

Tre afaristë shqiptarë që veprojnë në Gjermani, Lazim Destani (Ecolog), Remzi Ejupi (Eurokoha) dhe Nazim Viqa (AWR Abbruch), i dorëzuan IKSHPK-së një donacion me 15 mijë kite për teste të Covid-19 (innuPREP Virus TS RNA kit), të cilat do të ndihmojnë procesin e testimeve kundër virusit korona në Kosovë.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt.

Ministri Zemaj falënderoi profesionistët e IKSHPK-së për punën e bërë gjatë pandemisë.

Ndërsa, ambasadori Heldt tha se donacioni i sotëm është një kontribut i diasporës në Gjermani, derisa përgëzoi institucionet, punonjësit shëndetësorë në Kosovë dhe qytetarët për bashkëpunimin në parandalimin e përhapjes së Covid-19, përcjell albinfo.ch.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1689546977869549&id=597689407055317