Lajme
Kosovë, dyshime për cilësinë e ushqimit
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë dyshime në cilësinë e ushqimit, ndërsa ata të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit garantojnë se produktet e importuara janë të sigurta.
Asllan Kolgeci së paku një herë në muaj furnizohet në qendrat e mëdha tregtare në Fushë-Kosovë me gjëra ushqimore. Por, gjithmonë ai ka një brengë për cilësinë që kanë produktet ushqimore. Madje thotë se produktet e mishit kanë bërë që ai shpesh ta kërkojë edhe ndihmën e mjekut.
Kolgeci për albinfo.ch tha se asnjëherë nuk është i kënaqur me cilësinë e ushqimeve që blen, madje si konsumator ka dyshim se prodhuesit e qumështit dhe të mishit, në shumë raste, sipas tij, nuk u përmbahen standardeve të afatizimit, prandaj edhe shija dallon nga njëri paketim në tjetrin.
Ai tha se më së keqi qëndron puna me prodhimet e mishit. “Nga konsumimi i mishit më është dashur të kërkoj ndihmën e mjekut, sepse kam marrë diarre”, shprehet Kolgeci, i cili nuk është konsumatori i vetëm që ka dyshim në cilësinë e ushqimeve që plasohen në tregun kosovar.
Dyshimet për cilësinë e produkteve ushqimore janë rritur së fundi, kur një djalë 28-vjeçar e humbi jetën si pasojë e mishit të kontaminuar të pulës, ndërsa gjithë familja e tij u shtruan në spital.
Po ashtu në mediet vendëse është dhënë një kronikë, ku pulat e therura, para se të paketoheshin, mbusheshin me një lloj gazi, që të peshojnë më rëndë. Kjo ka nxjerrë dilema edhe më të mëdha se mishi që importohet në Kosovë nuk është i sigurt për konsum.
Autoritetet garantojnë: Cilësia e ushqimit, si në BE
Por, të gjitha dilemat rreth cilësisë së ushqimit i heq për albinfo.ch zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi. Ai tha se mishi dhe produktet e tij që vijnë në Kosovë, kryesisht nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe Brazili, kontrollohen sipas standardeve të BE-së.
“Çdo ngarkesë e importuar me mish dhe produkte mishi i nënshtrohet kontrollit të inspektorëve veterinarë në kufi. Së pari fillon procedura e kontrollit që dëshmon sigurinë e produktit për konsum, pastaj fillon kontrolli i identitetit, krahasimi i dokumentacionit me mallin e deklaruar në ngarkesë, ndërsa faza e tretë është kontrolli fizik dhe analizat laboratorike”, thotë ai.
Pas tërë këtij kontrolli, sipas tij, inspektorët marrin mostrat për analiza laboratorike, e në rast që analizat nuk dalin në rregull, atëherë sipas Thaçit, produktet nuk lejohen të shiten.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, sipas tij, në të gjitha rastet kur ka hasur në produkte të dyshimta, ka marrë të gjitha masat e nevojshme, duke bërë edhe asgjësimin e tyre.
“Po ashtu të gjitha bizneseve, të cilat kanë tentuar të shesin produkte të dyshimta, u janë dërguar fletëparaqitje në Gjykatë”, tha ai.
Vendet nga të cilat importohet më së shumti mish në Kosovë janë SHBA, BE dhe Brazil. Këto vende, sipas zëdhënësit të AVUK-ut, eksportojnë mish në tërë botën, pasi kanë numër të madh të kafshëve edhe të thertoreve.
“Thertoret nga të cilat lejohet importi për në Kosovë janë thertore të licencuara dhe të aprovuara nga Bashkimi Evropian, çka do të thotë se nëse një prodhues i mishit nuk ka licencë për eksport në BE, nuk mund të eksportojë as në vendin tonë”, deklaroi Thaçi, sipas të cilit, edhe kompanitë që merren me shitjen e këtij mishi duhet të kenë edhe depon ftohëse të licencuar nga AUVK-u.
Sa zbatohen ligjet, aq i sigurt ushqimi
Mirëpo, ajo që është evidente te kosovarët është mungesa e vetëdijesimit të qytetarëve për të paraqitur rastet kur ata hasin në produkte të dyshimta. Nga 160 ankesa të paraqitura nga qytetarët në Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit, vetëm 33 prej tyre thuhet se janë ankesa që kanë të bëjnë më produkte të dyshimta.
“Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me skadencë të afatit. Po ashtu ka ankesa edhe për dyshim të cilësisë, ka raste kur produkti i blerë nga qytetari ka afat, por që është i prishur, pra nuk mund të konsumohet. Të gjitha këto raste ne i paraqesin në Agjencinë e Veterinarisë dhe Ushqimit, të cilët pastaj marrin masat e duhura”, ka thënë ditë më parë Artan Demolli, nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë.
Ndërsa Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit, thotë se cilësia e ushqimit në Kosovë varet nga zbatueshmëria e ligjeve. “E nëse ligjet në Kosovë nuk zbatohen më shumë se 40 për qind, atëherë mund të thuhet se ne kemi siguri 40 për qind”, deklaroi ai.
Kaçaniku ka thënë se kompanitë të cilat importojnë produkte nga vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian nuk janë të interesuara për cilësi dhe siguri, por vetëm për përfitime materiale.
Nevojat konsumuese për kokë banori në Kosovë sillen mesatarisht prej 40 kg mish në vit, derisa me prodhimtarinë e brendshme vlerësohet se përmbushen vetëm rreth 50 për qind të nevojave. Boshllëkun për konsum e plotëson Brazili me 9.5 milionë kg mish në vit dhe SHBA-ja me mbi 15 milionë kg mish.
Siç kanë raportuar më herët mediet, një kilogram mish nga Brazili është vlerësuar më pak se 2 euro, ndërsa në Kosovë një kilogram mish shitet për 7 euro. Kjo ka bërë që gjatë vitit të shkuar janë importuar rreth 40 milionë kilogramë mish.
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje