Dy nga katër serbët e arrestuar dje në Gjakovë kanë konfirmuar se punojnë në institucione serbe të sigurisë.
Në seancë, Pavle Kragoviq ka thënë se punon si inspektor i Policisë në Kragujevc të Serbisë, ndërsa Milovan Steviq deklaroi se është doktor, stomatolog, në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë në Beograd.
Ndryshe, lidhur me masën e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjakovë janë edhe Branko Rakiq, i cili deklaroi se është teknik i komunikacionit, dhe Nemanja Vamoviq, i cili tha se është inxhinier i pylltarisë. Rakiq dhe Kragoviq janë me dyshtetësi, kurse Steviq dhe Vamoviq janë vetëm shtetas të Serbisë, transmeton albinfo.ch.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje ka shkruar se në veturën ku ishin ata, u gjetën dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative, por edhe një fotografi me fytyrat e pjesëtarëve të grupit terrorist që u vranë gjatë sulmit në Banjskë.
Prokurorja Venera Shala, gjatë leximit të kërkesës për paraburgim, tha se mjetet e mprehta i mbanin gjatë vizitës së manastireve ortodokse në Republikën e Kosovës dhe se rreziku i arratisjes për të pandehurit duhet të lidhet me faktin se të gjithë janë shtetas të Serbisë, dhe kjo mund t’i bëjë të paarritshëm nëse ata ikin në Serbi.