Kosova

Kosovë: Arrestohen dy persona nga operacioni “Avio-Biletat”

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia e Hetimeve Financiare, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘Mashtrim’, shkruan albinfo.ch.

Policia ka bërë të ditur se si pasojë e veprimeve të këtyre dy personave, dyshohet se janë dëmtuar disa agjenci turistike dhe rreth 27 qytetarë nga regjionet e ndryshme të Kosovës si dhe nga diaspora.

R.I. 29-vjeçar, dhe A.D. 25-vjeçar u arrestuan përmes operacionit policor “Avio-Biletat”, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.

“Lidhur me rastin, më 26.04.2019 është zhvilluar plani operativ Avio-Biletat, me ç’rast janë kontrolluar katër lokacione në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjenci turistike si dhe një banesë. Gjatë kontrollimit është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobilë dhe disa dokumente, të cilat ndërlidhen me rastin”, thuhet në deklaratën e Policisë, përcjell albinfo.ch.

Policia e Kosovës po ashtu ka bërë të ditur se për realizimin e këtij operacioni, me urdhër të Gjykatës Themelore, ka aplikuar masat e fshehta të hetimit, me ç’rast ka bërë mbledhjen e provave.

Policia ka apleuar qytetarët që mund të kenë qenë pjesë e këtij mashtrimi të lajmërohen në polici.