Lajme

“Strabag” ua sjell ujin fshatrave të Ferizajt

Projekti në vlerë mbi 5 milionë euro, përmban ndërtimin e një fabrike për përpunimin e ujit ndërmjet fshatrave Bibaj dhe Talinoc i Muhaxherëve, me kapacitet rreth 80 litra për sekondë

Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa dhe përfaqësues të kompanisë austriake për teknologjinë e ujit “Strabag AG” nga Vjena, nënshkruan sot kontratën për zbatimin e ndërtimit të skemës për furnizim me ujë në Ferizaj. Ky projekt, sipas kryetarit Svarqa, është njërin nga më të mëdhenjtë që do të jetësohet në komunën e Ferizajt gjatë viteve të fundit.

“Projekti në vlerë mbi 5 milionë euro, përmban ndërtimin e një fabrike për përpunimin e ujit ndërmjet fshatrave Bibaj dhe Talinoc i Muhaxherëve, me kapacitet rreth 80 litra për sekondë”, deklaroi ai.

Po ashtu projekti parashikon shpimin e pesë burimeve të ujit, vendosjen e tubacionit deri tek rezervuari, si dhe ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për fshatrat Sojevë, Dardani, Zllatar, fshatrat përreth tyre dhe një pjesë të qytetit të Ferizajt.

Kontrata, siç u tha, hyn në fuqi pasi të jetë ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe banka austriake, ndërsa do të zbatohet brenda dy vitesh nga dita e ratifikimit.