Kosova

Kosovë: 11 zyrtarë policorë, të infektuar me koronavirus

Pandemia Covid-19 ka bërë që shumë mjekë, infermierë, mësues, e po ashtu edhe zyrtarë policorë të punojnë me orare të tejzgjatura, me qëllim që të ndihmojnë dhe të jenë sa më afër qytetarëve në këtë kohë pandemie.

Kur jemi te zyrtarët policorë pa dyshim që puna e tyre jo veçse është e lodhshme, por edhe e rrezikuar nga virusi COVID-19. Mirëpo puna që ata bëjnë duke e rrezikuar edhe shëndetin e tyre po vlerësohet nga qytetarët, raporton “Zeri.info”.

Pasi që e gjithë bota po përballet me këtë pandemi e thuajse të infektuar janë shumë persona, edhe në Kosovë numri i të infektuarve po rritet dita-ditës. Virusi korona nuk i ka kursyer as zyrtarët policorë të Kosovës.

Duke iu referuar situatës dhe rrethanave me virusin COVID-19, Policia e Kosovës një numër të zyrtarëve policorë si dhe stafit civil i ka liruar nga detyra, pasi që të njëjtit kanë sëmundje të rënda. Atyre u është mundësuar që punën e tyre ta kryjnë përmes paisjeve elektronike.

Policia e Kosovës për “Zerin” e ka konfirmuar se disa zyrtarë janë në vetë izolim, pasi që të njëjtit dyshohet se janë të prekur me këtë virus. Nga policia po ashtu është bërë e ditur që në rast se për ndonjë zyrtar të PK-së se është i infektuar me virus, atëherë atyre do t’u bëhen analizat.

“Disa zyrtarë që janë sugjeruar për vetizolim dhe izolim të detyruar ka rrjedhë me rekomandim të Ekipeve Mjekësore nepër pikat kufitare (pas ardhjes së tyre nga vende të ndryshme, si Zvicër, Londër, Serbi, Amerikë, Gjermani etj.). Çdonjëri prej tyre ka Udhëzimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Ekipet Mjekësore në pikat hyrëse të Kosovës. Po ashtu në të gjitha rastet kur dyshohet se ndonjë zyrtar i PK-së mund të jetë infektuar me virus, nga institucionet kompetente iu bëhen analizat”, ka thënë Policia e Kosovës.

PK-ja: 11 policë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus

Policia e Kosovës ka bërë të ditur që qysh nga fillimi i shfaqjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, gjithsej 11 zyrtarë policorë kanë rezultuar pozitivë. Sipas policisë, vetëm 2 nga ta tashmë janë shëruar.

“Deri më tani kanë qenë (11) raste ku zyrtarët policorë kanë rezultuar pozitivë me virus, përderisa (2) nga ta janë shëruar dhe kanë mbetur (9) raste”, thuhet në përgjigjen dërguar “Zerit”.

Nga komuna e Malishevës, një zyrtar me koronavirus

Gjithashtu Policia e Kosovës ka deklaruar se në komunën e Malishevës një zyrtar ka rezultuar pozitiv. I njëjti rezulton që të jetë shëruar pasi që në dy testet e kryera nga IKSHPK-ja së fundmi ka rezultuar negativ.

“Një rast në Malishevë, zyrtari ka qenë i liruar nga puna, në pushim si rast i veçantë shëndetësor dhe i njëjti nuk ka pasur kontakt me ndonjë zyrtar policor. Zyrtari policor, i cili ka pasur rezultatin pozitiv me COVID-19 , në dy testet e kryera në IKSHP me datë 23.04.2020 ka rezultuar Negativ”, kanë thënë ata.

Edhe një rast me virusin Covid në rajonin e Prishtinës

Në përgjigjen e dhënë nga PK-ja për “Zërin” thuhet se është shënuar edhe një rast pozitiv në rajonin e Prishtinës. Një zyrtare policore ka qenë në vizitë studimore në Londër dhe më pas është vendosur në vetë karantinë. Ajo ka rezultuar negativ në dy testet e kryera nga IKSHPK.

“Një rast në rajonin e Prishtinës, zyrtarja ka qenë në vizitë studimore në Londër, dhe pas kthimit falë syçeltësisë dhe komunikimit me DSHSH-në, menjëherë është vendosur në (vetë karantinë) duke mos rrezikuar aspak të tjerët. Po ashtu zyrtarja policore më 21.04.2020 në dy testet e kryera në IKSHP kanë rezultuar negativ”, ka thënë PK-ja.

Pesë policë në veri të Mitrovicës si dhe dy policë në Suharekë me koronavirus

Rastet me virusin COVID-19 po rriten edhe në komuna të Kosovës. Në qytetin e Suharekës janë dy zyrtarë policorë që kanë rezultuar pozitivë me këtë virus, ndërsa në veri të Mitrovicës janë edhe pesë raste të tjera me koronavirus të zyrtarëve policorë.

“Dy raste në Suharekë zyrtarët kanë qenë duke punuar bashkë (janë të vetizoluar në shtëpi), ndërsa pesë raste në Veri të Mitrovicës zyrtarët janë duke u monitoruar (gjenden karantine)”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Dy policë pejanë të prekur me COVID-19

Që nga konfrimimi i rasteve me koronavirus në komunën e Pejës është rritur shqetësimi për numrin e lartë të rasteve në këtë komunë. Edhe në këtë qytet dy zyrtarë policorë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus dhe të njëjtit janë të vetizoluar në shtëpi.

“Dy raste në Pejë, (zyrtarët janë të vetizoluar në shtëpi)”, ka thënë PK-ja.