Lajme

Kosovari që pushtoi Ginisin

Prifti katolik, Dominik Qerimi grumbulloi 51 mijë e 865 boça të pishave, nga të cilat krijoi një vepër mahnitëse arti. Ai mori certifikatën nga autoritetet e Ginisit

Don Dominik Qerimi është njëri nga shqiptarët e rrallë që hyri në librin e rekordeve Ginis. Ai grumbulloi 51 mijë e 865 boça të pishave, nga të cilat krijoi një vepër arti mahnitë, duke portretizuar heroin kombëtar, Skënderbeun, humanisten Nënë Tereza dhe klerikun iluminist Don Bosko.

Prifti katolik dhe drejtor i Qendrës “Don Bosko” në Gjilan, mori certifikatën nga autoritetet e Ginist për këtë vepër të rrallë, që quhet “Mozaiku i Vlerave”.

Kjo vepër është e gjerë 15 metra dhe e gjatë 7 metra ndërsa nga 51 mijë e 865 boça janë portretizuar figura e Nëna Terezë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Don Boskos

Qerimi është njoftuar se më 06 janar 2014, zyra përkatëse e Guinness World Records në Londër e ka shpallur si rekord të ri botëror veprën e tij madhështore të realizuar nga boçat e pishave.

Ndërsa ceremonia zyrtare e dorëzimit të çmimit nga ana e autoriteteve të Guiunness do të mbahet më 8 shkurt në Gjilan.

“Unë nuk jam artist! Unë jam thjeshtë: I Dashuruar në Jezusin! Gjithçka që Jam dhe Bëj, është thjeshtë fryt i kësaj dashurie” ka thënë përmes facebook-ut, Dom Dominik Qerimi, raporton “KultPlus”.

Qerimi është prift katolik i lindur më 1971 në fshatin Janosh të Gjakovës dhe aktualisht është drejtor i Qendrës “Don Bosko” në Gjilan.

Çertifikimi i “Mozaiku i Vlerave” ka kaluar një proces të verifikimit prej datës 26 dhjetor 2013 kur janë dërguar të githa dokumentacionet dhe materialet e nevojshme pranë zyrës Rekordit Botëror të Ginisit.

Vepra ka hyrë në kategorinë e re të krijuar enkas për këtë mozaik me titull ’Largest pine cone mosaic’ (Mozaiku më i madh në botë me boça pishash), me numrin e regjistrimit ID: 437233.

“Mozaiku i vlerave”, përbëhet nga 51 mijë e 865 boça të pishave të cilat janë mbledhur në një periudhë prej katër vitesh. Mozaiku i vlerave” është realizuar për 53 ditë pune ndërsa për mbledhjen, seleksionimin dhe pastrimin e boçave i kanë ndihmuar të rinjtë vullnetarë të Qendrës “Don Bosko”.

Vepra është përuruar më 21 dhjetor 2013 në Teatrin e Qendrës Edukative-Sociale “Don Bosko” në Gjilan.