Lajme

Kosovari bëhet pronar i kafenesë legjendare “Brandl” në Gmunden të Austrisë

Lulzim Fejzullahi nga Ebensee ditë më parë u bë pronar i ri i kësaj kafeneje. “ Cafe Brandl” është një nga kafenetë më të vjetra në qytetin e vjetër të Gmunden.

 

Kafeneja “Brandl” ekziston që nga viti 1880. Ajo gjendet në katin e parë të ndërtesës së Bashkisë së qytezës Gmunden. “ Cafe Brandl” është një nga kafenetë më të vjetra në qytetin e vjetër të Gmunden. Për shkak të historikut të saj të çmueshëm, ajo quhet edhe si “kafeneja legjendare”, shkruan albinfo.at.

Tridhet vjet më parë, këtë restorant e mori përsipër Erich Wimmer dhe e ktheu atë në një kafene, ku njerëzit mund të kalojnë çaste të këndshme dhe më atmosferë të mirë, ndërkohë në mbrëmje, veçanërisht gjatë fundjavës, kafeneja shndërrohet në një përzierje të suksesshme bari, klubi dhe disko. Pas 30 vjetëve në menaxhim, Wimmer po kërkonte një pasardhës për ta marrë përsipër këtë lokacion tradicional. Dhe, atë e gjeti. Ishte kosovari Lulzim Fejzullahi nga Ebensee që ditë më parë u bë pronar i ri i kësaj kafeneje.

Biografia e veçantë e Lulzim Fejzullahut

Lulëzimi është një djalë 37-vjeçar me një biografi të veçantë.

I lindur në Kosovë ai e përjetoi luftën në vendlindje dhe emigroi në Austri në moshën 18-vjeçare. Fillimisht e nisi si pjatalarës në hotelin Altmünster Alpenhotel, pastaj filloi një praktikë për gastronomi dhe arriti të bëhet menaxher i restorantit të punëdhënësit të tij,

Në të njëjtën kohë, Fejzullahi u fut edhe në biznesin e patundshmërive.

Në vitin 2013 ai themeloi restorantin “Wein und Fein” në qytetin ku banon, Ebensee. Në vitin 2014 ai mori përsipër barin e plazhit tek liqeni në Gmunden “Treffpunkt am See”. Në vitin 2016 bëhët pronar i  Ebenseer Boutique – Hotel “Schlafmeile Traunsee” dhe në vitin 2019 poashtu merr përsipër në Ebensee barin “Tiki Taki”. Kurse së fundmi ai është bërë pronar edhe i kafenesë së njohur në qendër të Gmunden “Cafe Brandl”, shkruan nachrichten.at, transmeton albinfo.at.

“Kur isha i ri, nuk më lejonin të hyja në këtë lokal sepse isha i huaj”, thotë ai si në buzëqeshje dhe pastaj shton. “Tani lejimin e hyrjes po e marr në një formë tjetër”.

Ngritja meteorike e 37-vjeçarit jo vetëm që i solli atij admirim tek Ebensee, por edhe zili dhe mosbesim. Ai nuk e fsheh recetën e tij për sukses: “30 për qind është guxim, 30 për qind zell, 30 për qind vizion dhe dhjetë për qind fat”, thotë ai.

“Nëse mungon vetëm një nga këta elementë, as të tjerët nuk kanë dobi”, shprehet në fund Luli, djaloshi me prejardhje nga Klina.