Kosova

Kosovarit i duhet të punojë 70 orë në javë për të mbajtur familjen

Edhe pse punon me kohë të plotë, ky baba i dy fëmijëve ka marrë një punë të dytë. Sipas ekspertëve, po shtohet numri i atyre që mbajnë disa vende pune

A.* nga kantoni Aargau nuk i ka mirë punët. 44-vjeçari, baba i dy fëmijëve është vazhdimisht i lodhur. Prej një viti e gjysmë i është dashur të mbajë një barrë të dyfishtë: “Nuk mund të funksionoja më pa kafe dhe pije energjike”, thotë ai, transmeton albinfo.ch. Arsyeja: Pavarësisht se kishte një punë me kohë të plotë, atij ju desh të merrte edhe një punë të dytë dhe kështu të punonte 70 orë në javë.

“Ka ditë që punoj në një fabrikë nga ora 23:00 e natës deri në 6 të mëngjesit. Pastaj fle deri në orën dhjetë. Filloj të dërgoj porosi ushqimore nga ora njëmbëdhjetë, shkruan 20minuten.ch. Nga ora 13.30 deri në 17.00 kam pushim dhe më pas punoj sërish si korrier derisa të fillojë turni në fabrikë”, thotë A.

“Është e rëndë”, thotë 44-vjeçari. “Por unë kam një familje dhe shumë fatura që duhet t’i paguaj në fund të muajit. Përveç kësaj, nëna ime në Kosovë vuan nga kanceri dhe unë paguaj shpenzimet e mjekimit”.

Paratë janë shumë të pakëta, ai vështirë se mund të përballojë ndonjë kosto të papritur. Për shkak se A. nuk konsiderohet si i varfër që punon (working poor), ai nuk mund të marrë as përfitime suplementare dhe as ndihmë sociale. Nuk e di se sa kohë mund ta përballojë këtë sforcim: “Jam i rraskapitur fizikisht dhe mendërisht”, shprehet ai.

Sipas Philipp Frei nga Budgetberatung Schweiz, ka një kërkesë shumë të lartë për të ardhura shtesë, siç janë shërbimet prej korrieri etë ngjashme. Një nga arsyet: “Në shumë sektorë me paga të ulëta paguhen paga që thjesht nuk mjaftojnë”. Përveç kësaj, familjet me të ardhura të ulëta aktualisht po goditen veçanërisht rëndë nga rritja e çmimeve të konsumit.

“Zejtarët shpesh varen nga makina, për arsye pune. Duke qenë se në përgjithësi fitojnë më pak, çmimi më i lartë i benzinës i godet rëndë dhe ata vuajnë nga inflacioni”, shpjegon Frei. “Përveç kësaj, njerëzit me të ardhura më të ulëta shpesh jetojnë në shtëpi apo apartamente të vjetra, të cilat ngrohen me naftë, pra, sërish kemi të bëjmë me çmimin e naftës që shkakton sërish probleme”.

Frei ka frikë: “Tendenca drejt rritjes së kërkesës për të ardhura shtesë dhe punë shtesë do të intensifikohet me inflacionin aktual”, transmeton albinfo.ch. Ai këshillon të prekurit që të hartojnë një plan buxhetor dhe të shohin se ku mund të bëjnë ende kursime. “Rreth një e treta e shërbimeve për të cilat njerëzit kanë të drejtë, nuk janë shfrytëzuar. Arsyet për këtë janë se ata nuk e dinë, janë të stërngarkuar ose kanë turp”, thotë Frei.

Sipas Claudia Stöckli, anëtare e menaxhimit të sindikatës Syna, punonjësit me paga të ulëta kanë nevojë për rritje pagash këtë vit, që do të shkonte shumë përtej inflacionit. “Kjo është mënyra e vetme për të siguruar efektivisht fuqinë blerëse”. Me rritjen e pritshme masive të primeve të sigurimeve shëndetësore, familjet kërcënohen me një goditje të re shpenzimesh nga 1 janari 2023″.

Philippe Gnaegi, drejtor në Pro Familia dhe pedagog në Universitetin e Friburgut dhe Neuchâtel-it, ka trajtuar gjithashtu temën e familjeve dhe varfërisë në librin e tij “Politika e familjes në Zvicër”, i cili u botua në vitin 2021. “Fakti që ndonjëherë duhen dy rroga për të ushqyer një familje këto ditë është një problem i madh”, thotë Gnaegi, përcjell albinfo.ch Mbajtja e familjes kushton shumë dhe gjendja financiare e familjeve do të përkeqësohet me inflacionin.

Përfitimet familjare (EL) mund të zbusin situatën problematike dhe stresin e përditshëm të përfituesve dhe do të kishin një efekt më pak stigmatizues sesa ndihma sociale. “Duke qenë se ato nuk duhet të shlyhen, përfitimet në fjalë mundësojnë një dalje më të qëndrueshme nga varfëria brenda një periudhe të arsyeshme kohore”, thotë Gnaegi. Por edhe këtu ka një problem: “Vetëm katër kantone ofrojnë përfitime të tilla shtesë. Të gjithë të tjerët mbështeten vetëm në ndihmën sociale”.