Integrimi

Kosovarët nga Zvicra, gara ilegale në autostradën gjermane

Të katër ngasësit që janë zënë ishin shtetas zviceranë me prejardhje kosovare, njoftojnë mediet gjermane. Dyshohet edhe për disa të tjerë

Disa vetura të fuqishme, me kubikazhë të madhe si dhe me pamje sportive, pasditën e të shtunës u kanë futur tmerrin ngasësve në segmentin e autostradës 5 nga Lorach-u (Gjermani) deri në Bazel, Zvicër.

Shoferët po u jepnin makinave (BMW dhe Mercedes) me një shpejtësi shumë të madhe si dhe po silleshin në mënyrë agresive, duke i rrezikuar pjesëmarrësit tjerë në komunikacion. Kjo bëri që këta të fundit të alarmonin policinë.

Pas shumë telefonatave të marra, policia i ka ndaluar në afërsi të kufirit katër makina, me regjistrim nga Cyrihu e Lucerni. Të katër ngasësit që janë zënë ishin shtetas zviceranë me prejardhje kosovare, njoftojnë mediet gjermane (Südkurier dhe Badische Zeitung).

Por sipas shoferëve të tjerë në autostradë, bëhet fjalë për rreth dhjetë makina që kanë “terrorizuar” ata, duke iu afruar pranë dhe duke i tejkaluar me shpejtësi shumë të madhe.

Policia i ka ndaluar katër shoferët ndërsa hetimet e mëtejme do të tregojnë se për çfarë vepre penale ata do të ngarkohen.

Duke qenë se në autostradat zvicerane shpejtësia e makinave është e kufizuar, herë pas here ndodh që ngasës nga Zvicra të zhvillojnë gara ilegale shpejtësie në autostradat e Gjermanisë.