Kosova

Kosova vendi më i varfër në Evropë e rajon – fajin “politikat e gabuara ekonomike”

Sipas të gjeturave të Bankës Botërore, Kosova vazhdon të ballafaqohet me shkallë të lartë të varfërisë prej mbi 19% dhe mbetet shteti më i varfër jo vetëm në Evropë por edhe në rajon. Ndërkohë, qytetarët përmendin pagat e ulëta dhe shtrenjtimin e shportës familjare dhe energjisë elektrike veçanërisht në katër vjetët e fundit. Njohës të ekonomisë, fajin për këtë gjendje e lënë tek politikat e gabuara ekonomike. Pasi që siç thonë me masa të njëjta vit pas viti nuk mund të presësh rezultate të ndryshme. Ata flasin për nevojën e krijimit të perspektives për të rinjtë dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

Pavarësisht se Agjencia e statistikave të Kosovës, flet për një rënie të numrit të familjeve të cilat përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale, nga mbi 20 mijë syresh sa ishte në vitin 2023, në mbi 18 mijë familje në vitin 2024, Banka Botërore flet për shkallë të lartë të varfërisë në Kosovë. Sipas të gjeturave të saj, Kosova përveç në nivel të Evropës është edhe vendi më i varfër në rajon.

“Të ardhurat për kokë banori mbeten të ulëta në krahasim me mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shkalla e varfërisë mbetet më e lartë, pak mbi 19 për qind. Ne konsiderojmë se për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë dhe rritjen e prosperitetit të përbashkët, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë për të gjithë popullin e Kosovës. Sigurimi i vendeve të mjaftueshme të punës me cilësi të lartë për popullatën e re të Kosovës do të ndihmojë për të kapërcyer hendekun në të ardhura me BE-në”, tha Jane Sprouster- Zëvendës menaxhere e Bankës Botërore për Kosovë.

Niveli i Bruto Prodhimit Vendor në Kosovë është më i ulëti në rajon në një mesatare prej 5.589 euro, që i bie se mesatarisht çdo qytetar i Kosovës kontribuon kaq mjete në vit në ekonominë e vendit.

Si pasojë e këtij niveli ekonomik në vend, qytetarët ankohen se kanë vështirësi të mbulojnë muajin me të ardhurat që kanë.

“Po s’ka siguri në punë, s’ka paga, 100 punëtorë i mbanë 5 i ka të sigurum të tjerët në të zezë”, tha një qytetar.